Victoria Beckham, 51-vjeçare, ish-anëtare e grupit “Spice Girls”, tani disenjatore rrobash, do të publikojë në muajin shtator një seri dokumentaresh në platformën transmetuese Netflix, ku pritet të flasë hapur për presionin e madh në sytë e publikut prej dekadash dhe ndikimin e tij në shëndetin e saj mendor e fizik.
Sipas Page Six, dokumentari tregon se si vitet e vëmendjes negative çuan në probleme me imazhin trupor dhe në një dietë shumë të kufizuar.
“Kur kthehesh pas dhe e sheh mjedisin mediatik të viteve ’90, ishte jashtëzakonisht i ashpër. Kishte një vëzhgim të madh mbi pamjen dhe peshën e Victorias. Mendoj se publiku do ta kuptojë se çfarë ka kaluar ajo”, ka thënë një burim për Page Six.
Vetë Victoria ka pranuar se dokumentari ka momente të ndjeshme.
“Ka lot në pamjet e dokumentarit. Dhe më shkoi ndër mend para pak ditësh, çfarë do të mendoj kur t’i shoh ata lot në një ekran të madh? Apo në ndonjë iPhone?”, ka thënë ajo për Bloomberg.
Seria me tri pjesë mban titullin “Victoria Beckham” dhe parqet përgatitjet e saj për shfaqjen më të madhe të modës në karrierë gjatë Javës së Modës në Paris në muajin shtator të vitit 2024.
Në dokumentar shfaqen edhe bashkëshorti i saj David Beckham, 50 vjeç, dhe fëmijët e tyre, përfshirë Brooklynin, 25 vjeç, dhe bashkëshorten e tij Nicola Peltz, 30 vjeçe. Pamjet janë filmuar para tensioneve të fundit në familje që janë raportuar nëpër media.
Kujtimet e Victorias për mënyrën si ishte trajtuar nga publiku dhe mediat britanike u panë edhe në dokumentarin e vitit 2023 “Beckham” për David Beckhamin. Aty ajo kujtoi se ishte shpesh objekt i thirrjeve fyese në ndeshjet e futbollit të bashkëshortit të saj.
“Është turpëruese, është e dhimbshme”, pati thënë ajo.
Në dokumentarin e ri, Victoria do të rikthehet edhe te momente nga arkiva, përfshirë rastin kur prezantuesi Chris Evans e detyroi të peshohej live në televizion në vitin 1999, vetëm dy muaj pasi kishte lindur Brooklynin.
David Beckham ka folur shpesh për dietën e rreptë të Victorias në podcastin River Cafe Table 4.
“Për fat të keq, jam i martuar me dikë që ka ngrënë të njëjtën gjë për 25 vjet. Që kur e kam njohur, ajo ha vetëm peshk të pjekur dhe perime të ziera. Shumë rrallë devijon nga kjo”, ka thënë ish-futbollisti.
Victoria ka zbuluar se pika e dobët e saj e vetme është tekila.
Dokumentari do të shfaqë gjithashtu rrugëtimin e saj nga “Posh Spice” te krijimi i një brendi të respektuar mode, duke theksuar vështirësitë për të ndërtuar dhe mbajtur një biznes të qëndrueshëm.
“Unë jam përcaktuar shumë nga një periudhë katërvjeçare e jetës sime kur isha pjesë e ‘Spice Girls’. Dhe jam shumë krenare për këtë”, ka thënë ajo.
Por ka shtuar se bashkë me të erdhën edhe shumë paragjykime.
“Në industrinë e modës jam gati që 20 vjet, duke krijuar koleksionet e mia. Më është dashur shumë kohë që të ndihem mjaftueshëm e sigurt për atë që bëj dhe për markën time, dhe tani është koha që mund të flas hapur për të kaluarën”, ka thënë Victoria për Bloomberg.