Showbiz

Victoria Beckhamit s’i ka pëlqyer periudha kur e kishte burrin partner biznesi

David dhe Victoria Beckham

David dhe Victoria Beckham

Foto: Associated Press

Disenjatorja Victoria Beckham ka treguar se periudha kur bashkëshorti i saj, David Beckham, ishte partner në biznes me të, ka qenë një nga më të vështirat e jetës së saj, madje aq sa “çdo ditë qante para se të shkonte në punë”.

Në dokumentarin e saj të ri në Netflix, me titull “Victoria Beckham”, 51-vjeçarja rrëfen se brendi i saj i modës ishte pranë falimentimit dhe se situata financiare i kishte sjellë shumë ankth.

“Pothuajse humba gjithçka, dhe ajo ishte një periudhë shumë e errët. Qaja çdo ditë para se të shkoja në punë, sepse ndihesha si një zjarrfikëse, gjithmonë duke shuar një krizë pas tjetrës. Ishim dhjetëra miliona në humbje. Po, po kthehesha në shtëpi te burri im, por në të njëjtën kohë po kthehesha te partneri im i biznesit. Dhe kështu, duhej të flisnim për këtë. Ai kishte investuar. Dhe e urreja. E urreja absolutisht”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër, David Beckham ka pranuar se ato biseda e kishin thyer shpirtërisht, sepse ishte i dhimbshëm fakti që gruaja e tij krenare po kalonte nëpër një krizë të tillë.

“Ajo ishte shumë më e pasur se unë. Në fakt, ajo bleu shtëpinë tonë të parë në Hertfordshire, që e quajtëm ‘Beckingham Palace’. Kështu që për të ardhur tek unë e të më thoshte: ‘A mund të kemi pak më shumë para? Biznesit i duhen më shumë para’, ishte e vështirë për të dy, sepse unë nuk i kisha më mundësitë për ta vazhduar. Në një moment thashë: ‘Kjo nuk mund të vazhdojë më’”, ka treguar ish-futbollisti.

Pas kësaj periudhe, Victoria gjeti një partner të ri biznesi, David Belhassen, i cili fillimisht kishte refuzuar të investonte, por më pas ndryshoi mendim gjatë një darke me bashkëshorten e tij, kur kuptoi se ajo kishte veshur një nga krijimet e Victorias.

“Flaka u ndez aty. U bë zjarr i vërtetë. Të hënën mblodha ekipin dhe thashë: ‘Duhet ta bëjmë. Nëse dështojmë, dështojmë.’ Pastaj nënshkruam. Ajo ishte shumë emocionale dhe më tha: ‘Nuk do të të zhgënjej’”, ka thënë ai.

Belhassen pranoi se brendi i Victorias kishte nevojë për më shumë se para.

“Asaj i duhej një partner që e njihte biznesin, që e kuptonte ëndrrën e saj dhe që ishte i aftë ta bënte realitet. Sinqerisht, nuk kisha parë kurrë diçka kaq të vështirë për t’u rregulluar”, ka thënë Belhassen në dokumentar.

Victoria, ndërkohë, pranoi se ai e ndihmoi ta kuptonte sa shumë duhej të ndryshonte.

“Kisha humbur rrugën time. Pjesë e problemit ishte që njerëzit kishin frikë të më thoshin ‘jo’. Mendoj se shumëkush mendonte që nuk isha mësuar ta dëgjoja atë fjalë”, ka thënë disenjatorja.

Ajo ka shtuar se tani është më e vetëdijshme për gabimet e së kaluarës.

“E pranoj me gjithë zemër. Kam bërë gjëra që mund t’i kisha bërë ndryshe. Kam qenë në borxhe, dhe kishte shumë që duhej të ndryshoja”, ka thënë ndër të tjera, ish-këngëtarja.

Traileri i dokumentarit: