Princesha e Uellsit, bashkëshortja e princit William, Kate Middleton, gjendet në spital pasi ka bërë një ndërhyrje kirurgjike.
“Princesha e Uellsit u pranua në ‘The London Clinic’ për të kryer një ndërhyrje në abdomen”, thuhet në njoftimin për shtyp nga Pallati Kensington.
Në njoftim thuhet gjithashtu se operimi ka përfunduar me sukses dhe princesha do të qëndrojë në spital për 10 deri në 14 ditë.
“Princesha e Uellsit vlerëson shqetësimin tuaj. Ajo shpreson që publiku ta kuptojë dëshirën e saj që gjithçka të jetë sa më normale për fëmijët, si dhe dëshiron që çështjet personale shëndetësore të mbeten private”, thuhet në deklaratën e pallatit, zyrtarët e të cilit kanë premtuar se do të bëjnë të ditur informacione të tjera sapo të jetë e mundur.
Nuk dihen shkaqet që quan deri në operim por një burim nga pallati i ka thënë CNN-it se nuk bëhet fjalë për kancer.
“Duke u bazuar në këshillat mjekësore, Kate nuk mund të kthehet në detyrat e saj zyrtare deri pas pashkëve”, ka thënë burimi.
Sipas këtij burimi, pasi të lirohet nga spitali, Kate pritet të pushojë për t’u rikuperuar për rreth 3-4 muaj, në shtëpinë e saj në Windsor.
Princi William do të qëndrojë afër gruas dhe fëmijëve përgjatë rikuperimit të Kates, ka bërë të ditur burimi.
Pak pasi doli lajmi se princesha është operuar, pallati Buckingham ka bërë të ditur se edhe mbreti Charls do të dërgohet në spital për trajtimin e prostatës së zgjeruar.