Avokati i caktuar nga gjykata për rastin e këngëtares Britney Spears ka kërkuar që të japë dorëheqje nga pozita e tij.
Samuel Ingham e ka përfaqësuar këngëtaren qyshkur kishte filluar rasti gjyqësor rreth kujdestarisë më 2008. Por, me anë të një deklarate publike të adresuar në gjykatë muajin e kaluar, Spears ka thënë se ai e ka dekurajuar që të mos flasë, teksa ka shtuar se dëshiron ta zgjedhë vetë ekipin e saj ligjor. Dorëheqja e Inghamit u shpalos vetëm një ditë pas dorëheqjes së menaxherit të këngëtarit. Avokati e ka shprehur dëshirën e tij për dorëheqje të martën, me anë të një kërkese paraqitur në gjykatë në Los Angeles.
“Bessemer Trust”, kompania që Spearsi kishte kërkuar ta zëvendësonte babanë e saj në rolin e kujdestarit financiar, ka dorëzuar javën e shkuar një kërkesë për tërheqje nga rasti. Në kërkesë specifikohej se pas komenteve të Spearsit në gjykatë më 23 qershor rrethanat kishin ndryshuar.
Në seancën dëgjimore të nëntorit, gjykata kishte refuzuar kërkesën e Spearsit për zëvendësimin e plotë të babait të saj nga roli i kujdestarit, porse kishte specifikuar se James Spearsi dhe “Bessemer Trust” mund të punojnë bashkërisht në menaxhimin e financave të këngëtares.
Kurse të martën, në një letër të siguruar nga rrjeti i lajmeve “Deadline”, edhe menaxheri i kamotshëm i Spearsit, Larry Rudolph, ka dhënë dorëheqje, duke thënë se ajo nuk kishte për qëllim që ta vazhdonte karrierën e saj, pas dy vjetësh e gjysmë pauzë, gjatë së cilës kohë ai nuk kishte punuar fare për të.
Edhe
Nëna e Spearsit kërkon që këngëtares t’i lejohet që vetë ta zgjedhë avokatin
Avokati Ingham për vite me radhë ishte figurë e heshtur në çështjen rreth kujdestarisë, të paktën publikisht, por kishte filluar ta përkrahte më shumë Spearsin gjatë vitit të kaluar. Deklarata e tij në gjykatë se ajo i frikësohej babait dhe nuk do ta riniste karrierën e saj, përderisa ai e ka në dorë atë ishin një ndër çarjet e para në konsensusin e arritur mes figurave të përfshira në kujdestari.
Në seancën dëgjimore të 23 qershorit, Ingham kishte thënë se Britney Spearsi nuk ka kërkuar që të paraqitej kërkesa për përfundimin e kujdestarisë, por ka shtuar se pret që të bëjë diçka të tillë shumë shpejt. Spears ka thënë gjatë seancës se nuk e ka ditur që mund të bëjë kërkesë të tillë dhe se ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.
-
Gjykatësi e merr një tjetër vendim në favor të Britney Spearsit
-
Babai i Britney Spears paraqitet zyrtarisht në gjykatë për t'i dhënë fund kujdestarisë
-
Ekipi ligjor i Britney Spears urdhëron babanë e saj të heq dorë nga kujdestaria
-
Babai i Spearsit pranon të tërhiqet nga kujdestaria “kur të vijë koha e duhur”