Showbiz

Pas brohoritjeve kundër IDF-it, SHBA-ja ia revokon vizat grupit britanik

IDF

Një grup britanik punk-rock, Bob Vylan, u përjashtua nga mundësia për të marrë pjesë në turneun në Shtetet e Bashkuara pasi vizat e tyre amerikane u revokuan. Kjo ndodhi pas një incidenti gjatë performancës së tyre në festivalin më të madh muzikor në Britani, Glastonbury, të shtunën, ku këngëtari Pascal Robinson-Foster (i njohur si Bobby Vylan) bërtiti frazën “vdekje për IDF” (Forcat Mbrojtëse të Izraelit), ndërkohë që turma valëviste flamuj palestinezë dhe bashkohej në brohoritje.

Policia britanike ka nisur një hetim penal ndaj dy anëtarëve të grupit – këngëtarit Robinson-Foster dhe bateristit që njihet me pseudonimin Bobbie Vylan – për gjuhën e përdorur gjatë performancës.

Grupi ishte planifikuar të merrte pjesë në një turne në SHBA në tetor, duke mbështetur këngëtarin Grandson në qytetin Spokane, Washington, por Departamenti Amerikan i Shtetit ndërhyri duke u revokuar vizat hyrëse.

Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, deklaroi të hënën se: “Departamenti i Shtetit ka revokuar vizat për anëtarët e grupit Bob Vylan për shkak të thirrjes së tyre plot urrejtje në Glastonbury, përfshirë nxitjen e turmës në brohoritje për vdekje. Të huajt që përkrahin dhunën dhe urrejtjen nuk janë të mirëpritur në vendin tonë”.

Grupet lobuese si “Stop Antisemitizmi” dhe disa politikanë republikanë amerikanë kërkuan që grupit t’i hiqeshin vizat.

“Bob Vylan bëri thirrje për vdekjen e IDF-së në Glastonbury. Ai do të vijë në SHBA këtë vjeshtë si pjesë e turneut Inertia. Ky njeri duhet të ndalohet – urrejtja e tij nuk është e mirëpritur këtu”, ka shkruar “Stop Antisemitizmi” në X.

Ndërkohë, këngëtari Pascal Robinson-Foster, 34 vjeç, nuk u tërhoq nga deklaratat e tij dhe shkroi në Instagram të dielën:

“E thashë atë që thashë.”

Ai shtoi se telefoni i tij kishte qenë “duke tingëlluar pa pushim” nga mesazhe mbështetëse dhe kërcënuese, pas performancës së tyre në skenë.