Showbiz

Partneri i Loredanës, Karim Adeyemi gjobitet me gjysmë milioni euro për armëmbajtje pa leje

Loredana - Adeyemi

Futbollisti i kombëtares gjermane, Karim Adeyemi, është dënuar me një gjobë prej rreth 450 mijë eurosh për posedim të paligjshëm të armëve, raportoi të dielën “Flashscore”.

Policia gjermane ka gjetur dy armë pa leje në pronësi të tij dhe partneres së tij, këngëtares shqiptare, Loredana Zefi. 

Sipas ligjit gjerman për armët, blerja, posedimi dhe mbajtja e armëve të tilla paraqesin vepër të dënueshme me gjobë ose burg deri në tre vjet.

Gjobitja ndaj Adeyemit është llogaritur në bazë të 60 tarifave ditore, të cilat, duke marrë parasysh të ardhurat e futbollistit të Borussia Dortmund, arrijnë në shumën e lartë prej 450 mijë eurosh. 

Borussia Dortmund reagoi përmes një deklarate për gazetën gjermane BILD, duke theksuar se klubi i trajton me seriozitet të gjitha “pretendimet penale” dhe se çështje të tilla diskutohen brenda institucionit, duke ruajtur konfidencialitetin.

Adeyemi ende nuk ka komentuar publikisht për rastin.