Paris Jackson i ka krahasuar me “Magjistarin e Ozit” dy zyrtarët që menaxhojnë pasurinë e babait të saj, këngëtarit të ndjerë Michael Jackson duke i akuzuar për arrogancë dhe mungesë transparence.
Në dokumentet e reja gjyqësore të dorëzuara këtë muaj, 27-vjeçarja, vajza e vetme e mbretit të Popit, kundërshton kërkesën e zyrtarëve John Branca dhe John McClain për të paguar shpenzimet e avokatëve të palëve të treta dhe i akuzon ata për “sjellje arrogante”.
“Ata e pranojnë se kanë bërë pagesa shtesë me shifra gjashtëshifrore në vitin 2018, dhe me shumë gjasë kanë paguar miliona të tjera në dhurata të padeklaruara gjatë shtatë viteve të fundit. Ky veprim, i lindur nga rehatia dhe arroganca, është i pajustifikueshëm, dhe ata nuk kanë bërë asgjë për ta mohuar këtë. Në vend të kësaj, ashtu si Magjistari i Ozit, ata kërkojnë që gjykata t’i besojë verbërisht, duke mos lejuar askënd të shikojë pas perdes”, thuhet në dokumentet e avokatit të Parisit, të cilat i ka publikuar US Weekly.
Avokati i saj ka shtuar se të njëjtit zyrtarë “nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të provuar vërtetësinë e pretendimeve të tyre vetë-mbrojtëse, as për të justifikuar shumën e asnjë pagese, dhe nuk kanë sqaruar pagesat për punën që pretendohet se nuk është faturuar”.
Aktorja e serialit “Star” ka theksuar gjithashtu se ekzekutorët “nuk kanë asnjë të drejtë të kundërshtojnë peticionin e saj”, pasi provat që ajo ka sjellë “janë marrë nga vetë dokumentet e tyre zyrtare.”
“Duhet të jetë e qartë se ekzekutorët nuk janë imunë nga kritikat për keqmenaxhim të zbuluar në dokumentet e tyre”, ka thënë avokati i saj.
Paris i akuzon gjithashtu për vonesa të qëllimshme në procesin hetimor dhe thotë se ata nuk kanë pasur asnjë autoritet të japin dhurata jashtë kontratave, nuk kanë bazuar pagesat në ndonjë kriter të qartë dhe fillimisht nuk i kanë deklaruar këto dhurata në dokumentet zyrtare.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e pasurisë së Michael Jackson kanë reaguar duke thënë se Paris ka përfituar rreth 65 milionë dollarë që nga vdekja e babait të saj në vitin 2009, kur ai ishte 50 vjeç.
“Pak njerëz kanë përfituar më shumë nga mençuria e biznesit të zyrtarëve sesa ajo vetë. Ajo nuk do t’i kishte marrë këto 65 milionë nëse ekzekutorët do të kishin ndjekur qasje të zakonshme për një pasuri si kjo në muajin korrik të vitit 2009”, kanë shkruar ata në përgjigjen e tyre.
Ata shtojnë se pretendimi i Parisit se pagesa prej rreth 600 mijë dollarësh në bonuse, në një vit kur pasuria fitoi pothuajse 300 milionë dollarë, justifikon bllokimin e aftësisë së ekzekutorëve për të menaxhuar bizneset e pasurisë është “vështirë të merret seriozisht”.
“Zyrtarët të cilët menaxhojnë këtë pasuri janë të hapur ndaj shqyrtimit të veprimeve të tyre, dhe pse të mos jenë? Vetë gjykata ka deklaruar se menaxhimi i tyre e ka kthyer një fuqi të vërtetë në industrinë muzikore sot, një pasuri që fillimisht kishte vetëm borxhe dhe detyrime në pasuri me vlerë 2 miliardë dollarë”, ka theksuar avokati i tyre.
Paris më herët kishte pretenduar se në disa fatura të vitit 2018 shumat ishin ndryshuar dhe se firmave ligjore u ishin dhënë bonuse të mëdha pa autorizim.
Branca dhe McClain i kanë kërkuar gjykatës të mbyllë çështjen, duke këmbëngulur se shpenzimet ishin “të nevojshme dhe të rregullta” për funksionimin e pasurisë.
Gjykata ende nuk ka dhënë vendimin përfundimtar.