Showbiz

Pamela Anderson: E gjeta një mik të përjetshëm te Liam Neeson

Pamela Anderson

Pamela Anderson

Foto: Associated Press

Aktorja, Pamela Anderson, ka thënë se ka krijuar një lidhje të veçantë me aktorin e njohur Liam Neeson gjatë xhirimeve të filmit të ri “The Naked Gun”. 

Aktorja 58-vjeçare dhe ylli 72-vjeçar luajnë bashkë në versionin e ri të komedisë së famshme dhe, sipas saj, miqësia mes tyre u formua shpejt dhe është shumë e sinqertë.

Traileri i filmit "TheNaked Gun":

“Mendoj se kam gjetur një mik të përjetshëm te Liam. Kemi një lidhje shumë të sinqertë, shumë të dashur, dhe ai është njeri i mrekullueshëm”, ka thënë Anderson për Entertainment Weekly.

Ajo vlerësoi Neesonin për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme, duke theksuar se për të ishte një nder të ndante skenën me një aktor me përvojë të tillë.

“Ai është artist i vërtetë. Vjen nga teatri, nga ‘Schindler’s List’ dhe ka luajtur në mbi njëqind filma. Ndërsa unë e kam nisur ndryshe, nga televizioni dhe jeta ime personale shpesh e ka tejkaluar atë profesionale. Është interesante si secili prej nesh arrin në këtë pikë në mënyrën e vet, por për mua ishte shumë domethënëse të përjetoja këtë eksperiencë me të. Një nder i madh”, ka thënë aktorja.

Neeson, i cili luan rolin e Lt. Frank Drebin Jr., ndërsa Anderson luan rolin e një gruaje për të cilën ai është i interesuar romantikisht në film, Beth Davenport, pranoi se nuk e dinte çfarë të priste nga ajo, por mbeti i befasuar pozitivisht.

“Ajo e përqafoi me të gjithë qenien e saj atë ndjesinë e humorit, të çuditshme, por edhe të thellë që kërkon ky film, dhe kishte edhe një nuancë melankolie tek ajo që e bënte të ëmbël.
Ka një shpirt luftarak dhe një ndjenjë humori të lindur… Dhe është shumë e këndshme për t’u parë, gjithashtu”, ka thënë ai.

Në një intervistë për People, aktori ka shkuar edhe më tej me vlerësimet, duke rrëfyer se është “dashuruar marrëzisht” me të gjatë punës në këtë film.

“Jam marrëzisht i dashuruar me Pamelan. Është fantastike për të punuar me të. Nuk mund ta komplimentoj mjaftueshëm, sinqerisht. Nuk ka ego të madhe. Vjen vetëm për të punuar. Ka humor të mirë dhe kaq e lehtë për t’u bashkëpunuar. Do të jetë e shkëlqyer në film”, ka thënë Neeson.

Anderson nga ana tjetër e ka përshkruar raportin e tyre gjatë xhirimeve si “romantik në mënyrë profesionale”.

“Liam është një zotëri i vërtetë. Na bashkoi dashuria për letërsinë dhe për të qeshurën”, ka thënë ajo për Entertainment Weekly.

Ylli ka zbuluar gjithashtu disa detaje të ëmbla nga prapaskenat.

“Për terapi, bëja bukë me maja natyrale dhe shpesh ia çoja atij, bashkë me biskota. Kalonim shumë darka me kastin. E ftoja atë dhe asistentin e tij për darka me mua dhe asistenten time, në mënyrë që marrëdhënia jonë të mbetej ‘romantike, por profesionale’ gjatë gjithë xhirimeve”, ka thënë aktorja.