Showbiz

Ozzy Osbourne vdiq nga sulmi në zemër, tregon certifikata e vdekjes

Ozzy Osbourne

Ozzy Osbourne

Foto: Associated Press

Ozzy Osbourne, legjenda e muzikës heavy metal, ka vdekur nga sulmi në zemër, sipas certifikatës së vdekjes të paraqitur në zyrën përkatëse në Londër, ka raportuar The New York Times.

Në dokumentin që është dorëzuar nga vajza e tij, Aimée Osbourne, thuhet se shkaqet e vdekjes ishin: ndalesë kardiake jashtë spitalit, infarkt akut i miokardit, sëmundje e arteries koronare, si dhe sëmundja e Parkinsonit me disfunksion autonomik, të gjitha të listuara si “shkak i përbashkët” i vdekjes.
Certifikata, të cilën e ka siguruar The New York Times, përshkruan profesionin e Osbournet si “kantautor, performues dhe legjendë e rokut.”

Më 22 korrik, ditën kur Osbourne vdiq në moshën 76-vjeçare, një helikopter i urgjencës mjekësore fluturoi drejt shtëpisë së tij pranë fshatit Chalfont St. Giles në Buckinghamshire, Angli.

Një zëdhënës i Shërbimit të Ambulancës Ajrore të Luginës së Thamesit ka konfirmuar për mediat se ekipi i tyre ishte “dërguar për të ofruar kujdes kritik në një incident pranë Chalfont St. Giles më 22 korrik,” por nuk dha më shumë detaje.

Sipas të dhënave të Flightradar24, helikopteri qëndroi për rreth një orë me motorët ndezur në spitalin Harefield në Uxbridge, në periferi të Londrës, përpara se të largohej.

Kur familja e Osbourne njoftoi vdekjen e tij më 22 korrik, ata nuk dhanë shkak konkret, megjithëse këngëtari kishte pasur probleme të shumta shëndetësore vitet e fundit, përfshirë një variant të Parkinsonit dhe dëmtime të shtyllës kurrizore. Në një intervistë në muajin shkurt, ai kishte deklaruar se “nuk mund të ec më.”

Fansat e heavy metalit kishin frikë prej kohësh se fundi i Osbourne po afrohej, sidomos pasi bashkëshortja e tij, Sharon Osbourne, kishte deklaruar në muajin shkurt se ai do ta mbante koncertin e tij të fundit.

Ky koncert, me titullin “Back to the Beginning”, u mbajt më 5 korrik në një stadium futbolli në Birmingham, vetëm pak minuta larg nga shtëpia e tij e fëmijërisë.

Në atë mbrëmje emocionale, Osbourne performoi dy sete të shkurtër: një si artist solo dhe një tjetër me grupin e tij legjendar “Black Sabbath”, që e kishte themeluar në vitin 1968 me tre muzikantë të tjerë nga Birminghami.

Gjatë koncertit, ai iu referua vështirësive shëndetësore duke u thënë fansave se “kam qenë i shtrirë në shtrat për gjashtë vjet. Ju falënderoj nga zemra.”

Si vokalist i “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne konsiderohet gjerësisht si një nga themeltarët e muzikës heavy metal. Grupe si “Metallica”, “Slayer” dhe “Anthrax” e kanë përmendur shpesh si inspirim të drejtpërdrejtë për karrierat e tyre.

Në vitet 2000, ai fitoi famë të re si yll televiziv falë emisionit të MTV-së, “The Osbournes”, që u transmetua nga viti 2002 deri më 2005, duke dokumentuar jetën e përditshme të familjes së tij në një format komik dhe spontan.

Më 30 korrik, qindra adhurues u mblodhën në Birmingham për ceremoninë publike të funeralit, ku arkivoli i tij u dërgua përmes qytetit me veturë funeralesh, përpara se të mbahej varrimi privat.