Showbiz

“Humbëm vëllain tonë”, yjet e muzikës dhe fansat i bëjnë homazhe Osbournes

Ozzy Osbourne

Ozzy Osbourne

Foto: Associated Press

Vdekja e yllit të grupit të njohur të muzikës rok “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne, në moshën 76 vjeçe ka prekur shumë yje të muzikës si dhe fansat e tij.

Grupi i famshëm “Metallica”, i ka bërë homazh kolegut tashmë të ndjerë, përmes një postimi të përbashkët në rrjetin social X.

“Nuk mund të përshkruhet me fjalë se çfarë domethënie ka pasur Ozzy Osbourne për Metallican. Hero, ikonë, pionier, inspirim, mentor, dhe mbi të gjitha shok, janë disa nga epitetit që më vijën ndërmend. Ozzy dhe Sharon besuan në ne dhe transformuan jetën e karrierën tonë. Ai na ka mësuar si të interpretojmë si pjesë e ‘ligës së madhe’ ndërkohë që të jemi të ngrohtë, mikpritës, prezent e brilant. Na u thye zemra nga dëshpërimi që na kaploi nga kjo humbje dhe i dërgojmë dashurinë e ngushëllimet tone Sharones dhe familjes, anëtarëve të grupit si dhe rrethit shumë të madh të shokëve të tij. Ai la një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe do të na mungojë”, thuhet në postimin e  grupit.

Për vdekjen e legjendës së rokut ka reaguar edhe grupi “Aerosmith”.

“Na është thyer zemra kur dëgjuam për vdekjen e vëllait tonë të rokut, Ozzy Osbourne. Zëri që ndryshoi muzikën përgjithmonë. Që nga ‘Black Sabath’ e deri te punët e tij solo, Ozzy ka ridefinuar se çka është të jesh ‘heavy’. Ai ka bërë gjithçka me zemër dhe me shpirtin që vetëm ai mund ta sjellë. Dashuria jonë shkon për Sharonen, familjen e tij, grupin dhe miliona njerëz në mbarë botën që e donin”, thuhet në postimin e Aerosmith, që gjithashtu kanë shkruar se do të ju mungojë shumë e asnjëherë nuk do ta harrojnë.

Grupi i mirënjohur muzikor “Nirvana” ka falënderuar legjendën e rokut për inspirimin.

“Faleminderit Ozzy Osbourne për inspirimin. Black Sabbath është themeli i ‘hevy rock’”, thuhet në postimin e tyre në rrjetin social X.

Këngëtari i famshëm Jon Bon Jovie, gjithashtu ka reaguar për humbjen e “princit të errësirës”, duke i dërguar dashuri bashkëshortes, Sharon dhe “familjes së bukur Osbourne”.

Edhe ylli i njohur i muzikës Flavor Flav ka shkruar se është prekur shumë kur mori lajmin për vdekjen e Osbournes.

“Njeri... me të vërtetë mu thye zemra për vdekjen e Ozzy Osbournes”, ka shkruar ai ndërkohë që po ashtu i ka shprehur ngushëllime Sharones dhe familjes.

Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, ka postuar në InstaStory një fotografi ku shihet e veshur me një bluzë më print të figurës së yllit të rokut dhe ka shkruar “R.I.P. Ozzy Osbourne”.

Ylli i njohur Mariah Carey, ka shkruar se “Ozzy ka qenë legjendë e gjallë dhe ashtu do të jetë përgjithmonë”.

Laura Pausini, ylli italian i muzikës ka shkruar se Osbournen e ka njoftuar para pak vitesh.

“Ai ishte shumë i ëmbël me mua. Jam prekur kur mora lajmin për vdekjen e tij. RIP”, ka shkruar italiania.

Ndërkohë edhe këngëtari legjendar Elton John, ka shprehur dhimbjen për humbjen e kolegut.

“U lëndova shumë kur mora lajmin për vdekjen e Ozzy Osbourne. Ai ishte mik i mirë e legjendë e vërtetë që ka siguruar vendin e vet tek zotët e rokut. Ai ishte një nga njerëzit më shakaxhi që kam njohur. Do të më mungojë shumë. Sharonit e familjes i dërgoi ngushëllimet e dashurinë time”, ka shkruar John.

Frontmeni i grupit “Kiss”, Gene Simons i ka kthënë BBC-së se e di që adhuruesit në mbarë botën po qajnë.

“E di që tani, në këtë momente, të gjithë fansat nëpër botë janë duke qarë dhe janë të shokuar. Ngushëllime Sharones, familjes dhe fansave. Mendoj se është fer të ceket fakti që ai nuk ka qenë asnjëherë Ozzy Osbourne pa qenë fillimisht Ozzy”, ka thënë Simons.

BBC ka raportuar se shumë adhurues të tij kanë ndezur qirinj, kanë lënë lule, fotografi e dorëshkrime tek “Black Sabbath Bridge” në Birmingham të Anglisë.