Showbiz

Marshi drejt koncertit të fundit të Ozzy Osbourne

Koncerti i fundit i Black Sabbath në Birmingham

Koncerti i fundit i Black Sabbath në Birmingham

Mijëra adhurues të muzikës heavy metal udhëtuan nga e gjithë bota drejt Birminghamit, të Anglisë, për të nderuar “Prince of Darkness”, Ozzy Osbourne, dhe grupin legjendar Black Sabbath, ka raportuar The New York Times.

Që prej vitit 1968, kur Osbourne dhe bashkëthemeluesit Tony Iommi, Bill Ward dhe Geezer Butler krijuan Black Sabbath në Birmingham, ata janë cilësuar si baballarët e heavy metalit. Tani, në moshën 76-vjeçare, Osbourne ishte në qendër të koncertit “Back to the Beginning”, një spektakël 10-orësh në stadiumin Villa Park, që ai e kishte paralajmëruar si daljen e fundit në skenë të Black Sabbath.

Edhe pse nuk ishte hera e parë që shpallte “pensionimin”, këtë herë dukej më serioz, pasi vitet e fundit është përballur me probleme shëndetësore, përfshirë sëmundjen e Parkinsonit. 

“Nuk mund të ec më”, ka treguar ai në një intervistë në muajin shkurt.

Kur në orën 21:00 u shfaq duke dalë nga poshtë skenës, i ulur mbi një fron të zi me një lakuriq nate dekorativ, turma shpërtheu në brohorima.

VIDEO:

 

 

“Are you ready?”, bërtiti Osbourne, përpara se të këndonte pesë këngë solo, duke përfshirë edhe “Crazy Train”. Ai bënte grimasa dhe spërkaste publikun me një armë uji.
“Kam qenë i shtrirë për gjashtë vjet”, u tha ai adhuruesve duke i falënderuar nga thellësia e zemrës.

Në skenë u ngjitën edhe grupe të tjera të njohura si Guns N’ Roses, Metallica dhe Slayer, të cilët nderuan Black Sabbath duke interpretuar disa nga hitet e tyre.

Në ditët para koncertit, adhuruesit shkonin te shtëpia ku është rritur Osbourne, pranë stadiumit.

“Ju krijohet ideja që adhuruesit e rock-ut s’janë njerëz të mirë, por, sinqerisht, kanë qenë shumë të sjellshëm”, ka thënë banorja e tanishme, Nazish Mahfooz

Adhuruesit kishin ardhur nga vende si Argjentina, Kanadaja, Danimarka, India, Emiratet dhe SHBA. Shumë prej tyre kishin harxhuar kursimet për të qenë atje.

“Muzika e Ozzy-t ka qenë kolona zanore e jetës sime”, ka thënë një fotografe nga Kanadaja, Kelly Clarck. Ajo kishte sjellë hirin e mbesës së saj, që kishte vdekur në aksident, për ta shpërndarë në stadium.

Rigmor Nikander, një organizatore dasmash nga Kopenhaga, e cila ishte shtatzënë, ka thënë se “nëse do të lindë djalë, do ta quajmë Ozzy”.

Koncerti zgjati nga ora 13:00, kur dolën Mastodon, deri në mbrëmje. Në mes pati edhe një perfromancë që New York Times e përshkruan si “betejë baterish”, në mes anëtarëve të grupeve Blink 182, Red Hot Chili Peppers dhe Tool, si dhe video nga këngëtarë shumë të njohur si Dolly Parton dhe Elton John.

Rreth orës 22:00, u shfaqën pamje nga Black Sabbath në kulmin e karrierës. Pas pankartës “Back to the Beginning” dolën anëtarët origjinalë të grupit dhe Ozzy nisi të këndonte “War Pigs”.

Mijëra veta brohorisnin emrin e tij: “Oz-zy! Oz-zy! Oz-zy!”.

Në fund, grupi ka interpretuar këngën “Paranoid”, përpara se fishekzjarrët të shpërthenin dhe Osbourne të largohej nga skena.

“Zoti ju bekoftë të gjithëve!” bërtiti ai, ndërsa turma vazhdonte të brohoriste.