Para se muzika ta bënte të veten, nisi të kryente punë të thjeshta: çirak, ndërtimtar, hidraulik, akordues borish të automjeteve. Nuk pati sukses. U sprovua edhe si batakçi. As aty s’pati sukses. Televizori që deshi ta vidhte i ra përmbi, kurse një ngarkesë e plaçkitur i doli veç me rroba fëmijësh. Të gjitha rrethanat pesimiste, i tërë ambienti i vrenjtur, e përftuan domosdoshmërinë e çfarëdolloj largimi prej aty. Duhej gjetur shtegdalje. Një botë tjetër. Dhe fjalët magjike ishin: “OZZY ZIG NEEDS A GIG – Has own PA”
“Ose do të bësh diçka shumë speciale, ose do të përfundosh në burg”, i thoshte babai pasi i pinte disa birra, atëherë kur i dërrmuar kthehej nga ndërrimi i tretë prej punës si hallatçi.
S’ka lidhje nëse ky parashikim ishte autorësi e alkoolit, a e ndonjë vizioni nostradamusor – ai rezultoi i saktë në ekstremin pozitiv.
Muzika u bë fija e perit që e ndau nisjen dhe bitisjen e jetës në kthetrat e fukarallëkut proletar, prej fundit të lumtur si pjesë e historisë kulturore. Me 100 milionë albume të shitura dhe pasurinë 220 milionë dollarëshe, mes tjerash.
Fëmijë i bullizuar, me ADHD dhe disleksi të patrajtuar, John Michael Osbourne s’kishte shumë gjasa për cilëndo të ardhme të ndritur në familjen tetanëtarëshe që jetonte brenda dy dhomave të vogla, në lagje të zymtë të Birminghamit industrial (“Të vetmet lule që mund t’i shihje në Aston ishin kur varrosej ndokush”).
Para se muzika ta bënte të veten, nisi të kryente punë të thjeshta: çirak, ndërtimtar, hidraulik, akordues borish të automjeteve. Nuk pati sukses. U sprovua edhe si batakçi. As aty s’pati sukses. Televizori që deshi ta vidhte i ra përmbi, kurse një ngarkesë e plaçkitur i doli veç me rroba fëmijësh.
Të gjitha rrethanat pesimiste, i tërë ambienti i vrenjtur, e përftuan domosdoshmërinë e çfarëdolloj largimi prej aty. Duhej gjetur shtegdalje. Një botë tjetër.
Dhe fjalët magjike ishin: “OZZY ZIG NEEDS A GIG – Has own PA”, të shkruara me dorë, në një fletë që u vendos në tabelën e njoftimeve të dyqanit të instrumenteve muzikore “Ringway Music”, në Birminghamin e 1968-ës. Pasja e “PA” (Public Address) – mikrofonit dhe zmadhuesve, ishte aseti që e merrte vëmendjen e të interesuarve.
U lajmëruan Tony Iommi – kitarist, Geezer Butler – basist, dhe Bill Ward – baterist.
Mirë boll. Fillimisht u quajtën “Polka Tulk Blues Band”, pastaj shkurtimisht “Earth”, por pas shikimit të filmit horror “Black Sabbath” lindi... “Black Sabbath”.
Albumi i parë, me të njëjtin emër, u publikua më 13 shkurt 1970. Ditëlindja e muzikës heavy metal.
Gishtat e fatit
Stili ishte i krejtësisht i ndryshëm nga trendët e asokohshëm blues rock dhe psikodelikë.
Përmbante riff-ë të turbullt, goditës, dëshpërim të sinqertë dhe energji të kulluar.
Faktori kryesor për tingujt unikë ishte qasja inovative e kitaristit Tony Iommi. Për shkak të një aksidenti në fabrikë, dy gishtërinjtë e dorës së djathtë i kishte më të shkurtër, prandaj e kishte përshtatur kitarën me vendosjen e telave shumë të lehtë të banxhos për ulje të toneve. Kësisoj krijonte tinguj të errët dhe të rëndë, që u shndërruan në ADN të heavy metal. E aplikonin edhe tritonin, intervalin disonant me gjashtë gjysmëtone, të njohur si “Diabolus in musica” – i ndaluar në muzikën mesjetare për arsye se konsiderohej “tingull mëkatar”, sot tipar i etabluar.
Kënga hyrëse – edhe ajo e titulluar “Black Sabbath”, u shndërrua në model për doom metal, me riff të thjeshtë, bateri buçitëse dhe tinguj kambanash. “The Wizard” i referohej Gandalfit, ndërsa Warning improvizonte me blues- jam epik 10 minutësh.
Krijimi i zhanrit heavy metal nga “Black Sabbath” nuk ndodhi si planifikim dhe punë metodike, por qe evoluim organik që rrodhi nga rrethanat e veçanta njerëzore.
Aksidenti i Tony Iommit në fabrikë, që e shtyu ta përshtaste mënyrën e të luajturit në kitarë, e pati ndikimin fundamental në formimin e tingujve specialë, të rëndë dhe të përdredhur. Kjo lidhje kauzale – kufizimet fizike që çojnë në adaptimet teknike, rrjedhimisht inovacionet muzikore, realisht paraqet bazën e origjinës së tyre. Ambienti depresiv industrial i Birminghamit, i plotësuar me dëshirat e anëtarëve të bendit për “eskapizëm nga punë angarie”, i fuqizoi temat dhe sensin ogurzi. Prandaj, heavy metali nuk ishte vetëm stil muzikor, por reflektim zanor i origjinave socio-ekonomike, ndërlidhur me një gjeneratë që doemos kërkonte ikje nga zhgënjimet.
Të kuptuar, të pakuptuar
Albumi debutues i “Black Sabbath” u prit me kritika të përziera dhe negative. Ishte risi, prandaj mediat e kishin të vështirë të pozicionoheshin sigurt. Situata të tilla ka pasur shpesh në historinë e artit. Kritikët rrezikojnë ta identifikojnë me saktësi një vepër të jashtëzakonshme, sepse s’mund ta kornizojnë përbrenda paradigmave ekzistuese. S’ka modele të gatshme për t’i kuptuar lehtësisht idetë revolucionare.
Bendi ishte para asaj kohe. Muzika e tij u pranua nga publiku, arriti sukses të madh komercial dhe më vonë u rivlerësua korrektësisht nga kritika. Nga perspektiva e sotme dallohet hendeku mes perceptimit fillestar nga mediat dhe ndikimit afatgjatë kulturor. Uria e audiencës për diçka të re e validonte vizionin e bendit para se kritika ta kuptonte këtë: “S’besoj që atëherë të kemi marrë kritikë pozitive për çfarëdo që bënim. Prandaj, as që më linin përshtypje”.
Shtatë muaj më vonë, më 18 shtator, arriti albumi i radhës, “Paranoid”, me ikoniket e power metal: “Paranoid”, “Iron Man” dhe “War Pigs”. Tashmë edhe me sukses komercial.
“Master of Reality” (1971) solli eksperimentime të mëtejshme me tinguj edhe më të rëndë – “Sweet Leaf” dhe “Children of the Grave”, kurse “Sabbath Bloody Sabbath” (1973) ofroi riff-ët tashmë legjendarë dhe vokale të fuqizuara në “Sabbath Bloody Sabbath”, “Into the Void” dhe “Symptom of the Universe”.
Fundi dhe rifillimi
Abuzimi i madh me substanca solli stagnimin kreativ dhe dështimin e albumit “Never Say Die!” (1978). Në bend kishte shumë probleme e pak normalitet. Tensionet mes Ozzyt dhe anëtarëve tjerë u bënë të vazhdueshme, të ashpra, të patejkalueshme. Eskalimi i pakthim erdhi kur gjatë provave për albumin e ri në Los Anxhelos, ai u zhduk gjashtë javë.
Në prill të vitit 1979, Tony Iommi i tha Bill Wardit t’ia kumtonte lajmin e hidhur – Ozzy nuk ishte më pjesë e “Black Sabbath”. Kapitulli mbaroi. The End.
Paradoksalisht, ndarja u bëri hair të dyja palëve. “Black Sabbath” e angazhuan vokalistin impresiv Ronnie James Dio, ndërsa Ozzy u rilind profesionalisht nga eliksiri më mrekullibërës: dashuria.
Por, fillimisht duhej të kalonte nëpër rrugën së cilës në këto raste i bihet më shpesh – krizës ekzistenciale, depresionit, izolimit, drogës dhe alkoolit. I mbyllur në dhoma hotelesh, ishte i bindur që karriera e tij kaq e kishte pasur. Atëherë në skenë u shfaq Sharon Arden – vajza e Don Arden, menaxherit të “Black Sabbath”, i cili e dërgoi për ta ndihmuar Ozzyn në ringjalljen e karrierës. Sharon ishte pjesë e biznesit muzikor të babait dhe nuk kishte asgjë të panjohur për punën që e priste. E pajisur me strategji, kreativitet, energji, durim dhe vullnet të çeliktë, ajo e nxori nga terri, e motivoi për t’u rikthyer, duke u shndërruar në shpëtimtaren e karrierës, mbase edhe të jetës.
Nën menaxhimin e saj, Ozzy e realizoi solo albumin e parë, “Blizzard of Ozz” (20 shtator 1980), që përmbante “Crazy Train”, “Mr. Crowley” dhe “I Don’t Know”.
Suksesi ishte gjigant – 4 milionë ekzemplarë në SHBA, më shumë se 6 milionë gjithsej globalisht. Projekti u pa si frymëzim për bendet tjera dhe krijoi standard për heavy metalin e viteve të 1980-ta.
Sërish ia deshi me kitaristin. Brilanti Randy Rhoads la gjurmë madhore në muzikë, përfshirë albumin e radhës “Diary of a Madman” (1981), të publikuar vetëm katër muaj para vdekjes së tij në një aksident me aeroplan.
Pasuan “Bark at the Moon” (1983), “The Ultimate Sin” (1986), “No More Tears” (1991), “Ozzmosis” (1995) dhe “Patient Number 9” (2022).
Kutia magjike
Ozzy si Ozzy, pasi në vitin 1996 s’e pranuan në festivalin “Lollapalooza” (“Nuk je mjaftueshëm alternativ”), bashkë me Sharon e themeloi “Ozzfest”, që u bë platformë e suksesshme promovuese. Ndër vite erdhën “Black Sabbath”, “Judas Priest”, “Motörhead”, “Slayer”, “Megadeth”, “Anthrax, Rammstein”, “Alice Cooper”, “Korn”, “System of a Down”, “Lamb of God”, “Disturbed”, “Linkin Park”, “Babymetal”, “Gojira”, etj. Tashmë shihej në rolin e “të moçmit” që u krijon hapësira të tjerëve.
I kishte mbetur mangët edhe Reality TV. E bëri “The Osbournes”.
Në MTV-në e 2002, shikuesve iu mundësua ta përcillnin jetën e përditshme të Ozzyt, Sharon, vajzës Kelly dhe djalit Jack. Ishte hera e parë që një program televiziv po i transmetonte dinamikat e kombinuara familjare të një superstari dhe gjërave të zakonshme me të cilat mund të ndërlidhet gjithkush. Fitoi “Emmy” dhe një imazh të ri të babaxhanit autentik me sens humori, larg nga i dikurshmi “Princ i Errësirës”.
Back to the Beginning
5 korrik 2025. Stadiumi i Aston Villës, në Birminghamin e tij. 45 mijë të pranishëm, 6 milionë online. Yjet që shpirtërisht e falënderonin për udhëzimet artistike shkaku i të cilave gjendeshin aty.
Ulur në fronin gotik, një Zot e di çfarë do t’i ketë shkuar ndër mend.
Profecia e babait? Nëna që ia përkrahte ëndrrat? Tejkalimi i pritshmërive? Sharon? Adhuruesit? Rastësitë fatlume?
Jetë kolosale.