Showbiz

Normani: Beyonce konkurron vetëm me veten e saj

Normani - Beyoncen

Këngëtarja Normani ka shprehur vlerësim të madh për Beyoncen, duke e quajtur një nga frymëzimet më të mëdha në karrierën e saj muzikore.

Artistja 29-vjeçare, e cila u bë e famshme me grupin Fifth Harmony, ka pranuar se Beyonce ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në suksesin e saj dhe se ajo ka vendosur standardin më të lartë në industrinë e muzikës.

“Kam disa gra që kanë qenë shumë me ndikim për mua që nga momenti kur u dashurova me muzikën, në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000. Por nëse duhet të përmend vetëm një, patjetër që do të ishte Beyonce”, ka thënë Normani në një intervistë për Sports Illustrated, raporton FemaleFirst.

Ajo ka shtuar se Beyonce e ka frymëzuar jo vetëm për muzikë, por edhe si artiste skenike.

“Ajo ka qenë një pjesë shumë e rëndësishme e arsyes pse u dashurova me muzikën, por jo vetëm me muzikën, edhe me artin e performancës dhe argëtimin”, ka thënë ajo.

Sipas Normanit, në këtë fazë të karrierës së saj, Beyonce konkurron vetëm me veten.

“Hiri që ajo ka, qetësia, mënyra si vazhdon të jetë inovative për dekada me radhë… kjo është shumë e vështirë për t’u arritur, por ajo e ka zotëruar plotësisht. Më duket se ajo gjithmonë konkurron vetëm me veten. Ajo është standardi i saj”, ka thënë tutje artistja.

Ndërkohë, Normani ka folur edhe për mbështetjen e madhe që ka marrë nga këngëtarja Ariana Grande. 

“Ariana ka qenë një mbështetje e jashtëzakonshme për mua”, pati thënë ajo në një intervistë për ENews!

Këngëtarja ka zbuluar se publikimi i albumit të saj të parë solo, “Dopamine”, në vitin 2024, u shty pasi të dy prindërit e saj u diagnostikuan me kancer. 

Gjatë asaj periudhe të vështirë, Grande ka qenë pranë saj.

“Sa herë që publikoj diçka, ajo është ndër të parat që më shkruan dhe më tregon sa krenare është për mua”, ka thënë ajo.

Normani, e cila tashmë është e fejuar me yllin e NFL-së, DK Metcalf, thekson se kjo mbështetje ka pasur shumë rëndësi për të në momentet më sfiduese të jetës dhe karrierës së saj.