E hëna shënon fillimin e skemës verore në Kohavision. Kësisoj, në kuadër të skemës programore të këtij kanali, për shikuesit do të vijë edhe formati veror i emisionit “Express”, që sjell të dhëna për fushën e kulturës, showbizit e shumë të tjera.
Nën titullin “Express Summer”, në ditët e verës, ky emision nuk transmetohet në terminin e zakonshëm pasditeve në 16:30, mirëpo çdo mbrëmje nga e hëna deri të premten në orën 20:00.
Për fiks 90 minuta sa zgjat “Express Summer”, ekipi i këtij emisioni do të sjellë në ekranet e shikuesve të vet plot argëtim me muzikë, materiale të realizuara nga terreni, lidhje direkte nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Emisioni do të udhëhiqet nga Shpend Lipa dhe Rida Gërdovci e atyre në krah do t’u dalë edhe gazetarja dhe prezantuesja e njohur e ekranit të KTV-së, Ana Rustemi.
“Express Summer” do të vijë edhe me rubrika interaktive përmes së cilave do të jetë edhe më afër shikuesve të vet.
Edhe
“Gëzuar me KOHËN!” për festë e traditë
Reportazhe nga pishina të ndryshme nëpër Kosovë, po ashtu reportazhe nga riviera e Shqipërisë dhe Malit të Zi, janë pjesë e programit veror. Po ashtu nuk do të mungojnë as të ftuar në studion e “Express Summer”, e cila këtë herë është pozicionuar në ambientet e lokalit më të ri në Prishtinë "Stepia D'ARRA”.
Krejt këto vijnë për çdo ditë nga e hëna deri të premten, me fillim në orën 20:00.