Kulturë

“Express Summer”, sonte prej orës 20:10

Formati veror i emisionit “Express” nis sonte prej orës 20:10. “Express Summer” vjen me storie ekskluzive, intervista e mysafirë specialë. Në edicionin e parë, ndër të tjera, sjell atmosferën nga Peja ku sonte hapet edicioni i 14-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar, “Anibar”. Prej atje gazetarja Blinera Vitija do të sjellë edhe intervista, përderisa nëpërmjet storieve shikuesit do të mund të kuptojnë për albumin “Zani” të Mentor Hazirit. Në studio mysafirë të moderatores Ariana Berisha janë tre anëtarë të korit “Siparantum”, i cili triumfoi me dy medalje të arta në Korenë e Jugut. Në lidhje të drejtpërdrejtë do të jetë edhe kantautori Vlashent Sata, i cili sjell detajet e edicionit të 7-të të “Zâ Festit” .

“Këto janë vetëm disa prej materialeve. Do të kemi edhe rrëfime të tjera interesante, muzikë e atmosferë verore”, ka thënë pak para nisjes së edicionit të parë të “Express Summer” producentja e emisionit “Express”, Edona Binaku. “‘Express Summer’ vjen pesë herë në javë, prej të hënës deri të premten. Jemi përgatitur për një maratonë të gjatë të formatit veror”.

Edona Bekteshi-Shala, zëvendësproducente ekzekutive në Kohavision, ka thënë se “Express Summer” është vetëm njëra prej freskive të skemës verore.

“E nisim me ‘Express Summer’ në skenë të re e me format të ri. Por, skema verore ka edhe surpriza të tjera. Kohavisioni si përherë synon që në këtë periudhë të sjellë emisione ekskluzive”, ka thënë Bekteshi-Shala. Ka paralajmëruar disa prej tyre: “Jeta në fermë” dhe “Aventurat e Kocit”.

“’Aventurat e Kocit’ nis prej së shtunës. Çdo të shtunë, prej orës 22:15 vjen edhe seriali ‘Taboo’ me Tom Hardyn”, ka zbuluar Bekteshi-Shala. “Ka mjaftueshëm arsye që shikuesit të mos e ndërrojnë kanalin”.