Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ne-Yo akuzohet publikisht për tradhti nga bashkëshortja e tij

Këngëtari i njohur i muzikës R&B, Ne-Yo, po përballet me akuza të rënda për tradhti nga gruaja e tij, Crystal Renay. Kjo e fundit ka vendosur të flasë publikisht për faktin se bashkëshorti i saj prej tetë vjetësh nuk i ka qëndruar besnik, dhe se martesa e tyre tashmë ka marrë fund.

Të shtunën (30 korrik), Renay e postoi një mesazh personal në rrjetet sociale, përmes së cilit i informoi ndjekësit e saj se po ndihet zemërthyer dhe e neveritur nga gjithë kjo situatë.

“Tetë vjet me gënjeshtra dhe mashtrime. I kam kaluar tetë vjet pa e ditur se po e ndaj jetën dhe burrin tim me gra të ndryshme, të cilët ia kanë shitur trupin atij. Është pak të them se më është thyer zemra. Ndihem e neveritur nga gjithë kjo situatë. Dhe të më kërkosh të qëndroj në këtë martesë sikur asgjë nuk ka ndodhur, është një çmenduri e vërtetë. Por, ky është mentaliteti i një narcisisti. Unë nuk do ta gënjej më publikun dhe nuk do të shtirem sikur nuk ka ndodhur asgjë. Po e zgjedhi veten, shëndetin dhe lumturinë time. I kam fituar tre fëmijë të bukur nga kjo martesë, dhe asgjë më shumë se vuajtje dhe humbje vjetësh. Ju lutem të ndaloni së më dërguari video dhe informata të tradhtive të tij, sepse çfarë ai bënë me jetën e tij nuk është më problem im. Unë nuk jam viktimë dhe nuk do të trajtohem si e tillë. Nëse dikush nuk di të të dashurojë ashtu siç ti e meriton, atëherë të takon ty ta duash veten edhe më shumë”.

Kurse këngëtari i famshëm amerikan iu përgjigj veprimit të gruas së tij, me mesazhin: “Për hir të fëmijëve tanë, unë dhe familja ime do të punojmë shumë për t’i tejkaluar këto sfida në privatësi. Gjërat personale nuk duhet të diskutohen dhe analizohen në forume publike. Thjeshtë ju kërkojë që ta respektoni privatësinë time dhe të familjes sime”, deklaroi Ne-Yo në postimin e fundit në Twitter.

Në një intervistë të fundit për portalin “Billboard”, teksa po e promovonte albumin e ri “Self-Explanatory”, Ne-Yo tregoi për problemet e kaluara martesore. Ai dhe Renay e kishin pësuar një krizë gjatë pandemisë, ku për një kohë të shkurtër e kishin konsideruar shkurorëzimin. Mirëpo sipas këngëtarit, çifti që u martua në vitin 2016, arriti ta tejkalojë këtë situatë. Ne-Yo dhe Renay e mirëpritën fëmijën e tretë së bashku, në qershor të vitit 2021. Këngëtari i ka edhe dy fëmijë tjerë nga lidhja e mëparshme.