Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mbuluar ballinën e revistës prestigjioze “Vogue” në versionin britanik
Prej gati një dekade, Dua Lipa ka dominuar top-listat muzikore, vëmendjen e mediave dhe zemrat e miliona fansave në të gjithë botën. Teksa këtë verë feston 30-vjetorin, me ëndrrën për të pushtuar stadiumin e njohur “Wembley” dhe për të planifikuar dasmën, gazetarja e “Vogues”, Gaby Wood, i është bashkuar gjatë turit të saj dhe në një intervistë të publikuar në revistën prestigjioze ka raportuar se superylli ndihet më e fortë se kurrë.
Një natë në Madrid që ndizet nga adrenalina
Në orën 20:45, natë e hënë në muajin maj, vetëm 15 minuta para fillimit të koncertit të saj në Madrid, Dua Lipa gjendet e rrethuar nga balerinët dhe muzikantët e saj në prapaskenë, në “Movistar Arena”. E veshur me kostum njëpjesësh të ngushtë me ngjyrë të kaltër të dizajnuar nga brendi i njohur “Jean Paul Gaultier”, çizme me shkëlqim dhe geta me rrjetë, ajo i udhëheq me energji në ritualin e saj para shfaqjes duke ju thënë “Be electric, baby! Be electric, baby! Be electric, baby… Madrid!” (Jini elektrizues, të dashur).
Ky moment shënon fillimin e një mbrëmjeje që do të kthehet në festë. Prindërit e Duas, Anesa dhe Dukagjini, janë të pozicionuar pranë panelit të kontrollit të zërit. Anesa gjithmonë e emocionuar para performancave të vajzës, por që qetësohet sapo Dua del në skenë. Vendi është i mbushur plot me fansa që kanë pritur me orë jashtë.

Kur dritat fiken dhe ekranet gjigante shfaqin një det të trazuar, Dua ngjitet në skenë me mikrofon në dorë.
“Adrenalina është një drogë e jashtëzakonshme. I dëgjoj britmat e njerëzve para se të shfaqem. Zemra ime nis të rrahë fort dhe them: ‘Ja, po e bëjmë’ Dhe jam gati”, ka përshkruar gazetarja Wood t’i ketë thënë Dua kur u ngjit në skenë.
Një kapitull i ri në jetë dhe në dashuri
Tre javë më parë, Dua ishte në një darkë në Londër, pas disa ditësh relaksimi me të dashurin e saj, aktorin Callum Turner, në shtëpinë e familjes në Shqipëri. E lumtur dhe e qetë, ajo kishte kaluar gjithë ditën në studio duke punuar për albumin e ri. Çdo ditë, një këngë e re.
“Sikur të kthehesh në shtëpi me një dhuratë të vogël”, ka thënë ajo.
Me vetëm tri albume, Dua është tashmë superyll global: fituese e tri çmimeve “Grammy” dhe shtatë çmimeve “Brit Awards”, gruaja e parë që ka pesë këngë me mbi dy miliardë dëgjime në platformën transmetuese “Spotify” dhe artistja e parë që është transmetuar drejtpërdrejt për një audiencë globale nga skena kryesore e festivalit të njohur “Glastonbury”. Biletat për dy koncertet e saj në “Wembley Stadium” u shitën brenda minutash.
“Është një ëndërr që po bëhet realitet”, ka thënë Dua. Por ajo synon ta kthejë edhe “Wembleyn” në një “klub të vogël nate”. Sfida më e madhe për të është ta mbajë lidhjen intime me publikun, pavarësisht madhësisë së hapësirës.
Teksa afrohet 30-vjetori i saj në muajin gusht, Dua reflekton mbi rrugëtimin personal.
“Të njëzetat janë kaq të trazuara. Por tani ndihem më e sigurt në trupin tim, ndihem e fortë, e fuqishme, e plot energji kur jam në skenë. Kam mësuar të kujdesem më mirë për veten”, ka thënë ajo.
E dashuruar dhe e fejuar

Dua dhe Callum janë fejuar. “Jam shumë e lumtur”, ka thënë ajo, duke zbuluar se Callum kishte bashkëpunuar me motrën dhe mikeshat e saj për të dizajnuar unazën e përsosur.
“Jam e fiksuar pas saj. Është thjesht shumë ‘unë’”, ka thënë ajo.
Sa i përket dasmës, ende nuk kanë plane konkrete.
“Dua ta përfundoj turneun, Callum është në xhirime, po e shijojmë këtë periudhë. Nuk kam qenë asnjëherë ajo vajza që ëndërron për dasmën. Por tani them: ‘Çfarë do të vesh?’”, ka thënë ajo.
Ata kanë vendosur një rregull që të mos qëndrojnë më shumë se dy javë e gjysmë larg njëri-tjetrit. Gjatë turneut në Australi, u detyruan ta thyenin këtë rregull dhe e përjetuan shumë rëndë.
Në Londër, gatuajnë shpesh bashkë dhe shëtisin çdo mëngjes me qenin e tyre Golo.

“Do të doja të kisha fëmijë një ditë. Por është e vështirë të gjesh momentin e duhur me këtë ritëm jete”, është shprehur shqiptarja.
Mbretëreshë e pop-it, sipërmarrëse dhe zë i fuqishëm
Në tre vjetët e fundit, pas menaxhimit nga babai i saj, Dua ka blerë të drejtat e këngëve të veta dhe ka krijuar kompaninë e saj mediatike, “Radical22”, që përfshin edhe një platformë globale editoriale, “Service95”, dhe një klub leximi me ndikim.
Ajo është bërë zë i rëndësishëm për drejtësinë sociale, për të drejtat e refugjatëve dhe për mbrojtjen e artistëve nga kërcënimi i inteligjencës artificiale.
“Ajo nuk ka frikë të flasë për ata që janë të përjashtuar. Është kënaqësi të shohësh dikë që vazhdon të rritet”, ka thënë këngëtarja Patti Smith.
Të gjithë miqtë dhe familjarët e saj që folën për këtë artikull kanë theksuar të njëjtën gjë.
“Dua është shumë e lidhur me familjen, është besnike dhe gjithmonë e ka ditur çfarë do. Shumë e shohin të ardhmen e saj duke jetuar në një fermë me shoqet, me shumë fëmijë dhe qentë e saj”, ka thënë mikja e saj Sarah. Ajo ka shtuar se njerëzit mund të befasohen, por Dua Lipa është shumë e thjeshtë si njeri, pavarësisht jetës glamuroze.
Rrënjët dhe vlerat
Shumëçka nga mënyra se si Dua Lipa e kupton humbjen – dhe mbështetja e saj e vazhdueshme për refugjatët, lidhen drejtpërdrejt me rrethanat e lindjes së saj. Prindërit e saj, Anesa dhe Dukagjin Lipa, shkuan në Londër në vitin 1992 si refugjatë shqiptarë nga Kosova. Deri atëherë, ata ishin zhvendosur disa herë brenda Ballkanit për shkak të shtypjes së ashpër të regjimit të Sllobodan Millosheviqit, presidentit serb që më vonë u akuzua për krime lufte. Dua lindi tre vjet pasi ata ishin vendosur në Londër.
“Kaluam shumë sfida në jetë. Kishim kaluar nëpër shumë situata të vështira”, ka thënë nëna e Duas.
Fëmijët e dinin këtë dhe, siç thotë Anesa, mësuan që çfarëdo vështirësie që u dilte përpara thoshin që “Ne si familje mund ta kalojmë”. Edhe sot, familja është qendra e jetës dhe punës së Duas. Motra e saj, Rina, lindi pesë vjet pas saj e vëllai i tyre, Gjini, në vitin 2005.
Në shkollën fillore në veriperëndim të Londrës, Dua u njoh me shoqen e saj Mia, e cila mbeti një ndër mikeshat më të ngushta të saj.
“Të tjerët mendojnë se fama është ndryshim i madh, por për ne që e njohim, është një vazhdimësi shumë natyrale. Ne gjithmonë improvizonim koreografi në oborrin e shkollës dhe pastaj i prezantonim si performanca javore në mbledhjet e shkollës”, ka thënë Mia, duke shtuar se këngëtaret Britney Spears dhe Pink ishin idhujt e tyre.
Në fundjavë, Dua ndiqte mësimet në shkollën teatrale “Sylvia Young”. Një mësuese e dëgjoi zërin e saj të veçantë dhe e vendosi në grup me 15-vjeçarë, ani pse Dua ishte vetëm nëntë vjeçe.

“Nuk përdornim shumë ekrane. Por gjithmonë kishte muzikë në shtëpi. Luanim letra deri vonë, lexonim libra. Dua këndonte gjatë gjithë kohës”, ka treguar motra e saj Rina.
Babai i tyre, ndërkohë, ishte pjesë e një grupi rok.
Në moshën 15-vjeçare, Dua mori vendim që i habiti të gjithë: të kthehej vetëm në Londër për të ndjekur ëndrrën e saj muzikore. “Kur e kujtoj sot, them: ‘Uau, 15 vjet janë shumë pak’. Por në atë kohë ndihesha që e dija shumë qartë ku po shkoja”, ka thënë Dua.
“Ndoshta është gjëja më e vështirë që kam bërë ndonjëherë. Por Dua ishte kaq e vendosur dhe plot ëndrra. Që e vogël e dinte çfarë donte. Ishte shumë e pjekur dhe ne e besuam”, ka kujtuar Anesa.
Dua jetoi me vajzën e një shoqeje familjare nga Shqipëria. Në ditën e parë në shkollën “Parliament Hill” në Londër, dy vajza të quajtura Sarah dhe Ella dëgjuan që kishte ardhur një nxënëse e re dhe e gjetën ulur të vetmuar.
“Ajo duhet të jetë vajza e re”, menduan. Shpejt, Sarah nisi të tregonte për talentin e saj. “Duhet ta dëgjoni, këndon mahnitshëm”, u tha ajo të tjerëve.
Një tjetër shoqe, Rosie, iu bashkua grupit të tyre. Kur Rosie u tregoi shoqeve të saj jashtë shkollës se Dua do të bëhej Beyoncéja e re, ato qeshën.
“Çfarë po thua? Ka vetëm një këngë në YouTube!”, i kanë thënë ato. “Ishte mënyra si të bënte të ndiheshe. Si jepte energji në gjithçka. Ajo merrte vendime të vogla çdo ditë, në drejtimin e duhur”, ka thënë Rosie.
Grupi i shoqeve dilte shpesh. Dua ishte gjithmonë ajo që organizonte ndejat para daljeve. Mbathte këpucë nga brendi “Jeffrey Campbell” me take shumë të larta.
Sarah kujton me buzëqeshje: “A pyesni ndonjëherë si arrin Dua të bëjë një koncert të tërë me taka të larta? Po, sepse ajo qysh atëherë ecte rrugëve me takat më të larta që keni parë ndonjëherë”, ka thënë Sarah.
Ylli ka treguar se është e butë si person, por ka edhe një anë të egër.
“Kam një anë të egër, por jam edhe shumë e matur. E dija shumë mirë që prindërit e mi më kishin lënë të jetoja larg tyre. Kishin shumë besim tek unë, dhe unë nuk doja ta zhgënjeja këtë besim”, ka thënë Dua.
Por, natyrisht, pati edhe sfida.
“Fillova të dilja aq shumë, sa që dështova në provime”, ka treguar Dua me sinqeritet.
Shkolla nuk e pranoi që ta përsëriste vitin dhe Dua u përball me mundësinë për t’u kthyer në Kosovë.
Por gjeti një zgjidhje, ndoqi një kurs në marketing dhe reklamë që e barazonte me dy vjet të provimeve të nivelit A. “Nuk ka pengesa, ka vetëm ura”, ka thënë Anesa për përpjekjet që bënte e bija e saj.
Në fakt, jeta e natës dhe miqësitë ishin shkolla më e madhe për Duan.
“Qëllimi im me koncertet është: Dua t’i bëj njerëzit të fillojnë të kërcejnë dhe dua të largohen nga koncerti duke kërcyer. Besoj që kjo vjen nga dashuria ime për të dalë dhe për të bashkuar njerëzit”, ka thënë këngëtarja.
Në moshën 18-vjeçare, ajo punonte në klube dhe postonte këngë ‘cover’ online. U shfaq edhe në një reklamë për “The X Factor”, ku luante rolin e një vajze të re që këndonte teksa varte rrobat. Dhe ashtu si në reklamë, edhe në jetën reale, zëri i saj magjepsi të gjithë. Që aty filloi rrugëtimi drejt famës botërore.
Në një koncert në Madrid, gjatë turneut të saj më të fundit, çdo minutë i ishte planifikuar, ushtrime vokale, prova, përgatitjet fizike dhe grimi. Për këtë turne, Dua kishte menduar gjithçka për të tingëlluar sa më mirë live dhe çdo natë këndonte një këngë të ndryshme të dalë nga ai vend ku performonte.
“Dita ime është plot, plot, plot, plot”, thotë ajo.
Zgjohet në 6:30 të mëngjesit dhe shkon në shtrat në mesnatë. Praktikon joga, pilates, ushtrime me pesha, prova kërcimi, dhe kujdeset për zërin e saj si të ishte atlete.
“Zërin e shoh si një muskul”, ka thënë Dua. Ka trajner zëri dhe terapiste të të folurit për ta mbrojtur zërin e saj. Po ashtu, mëson spanjisht tri herë në javë, lexon shumë libra dhe eksploron qytetet ku performon. I pëlqen të gatuajë, edhe kur sapo ka zbritur nga aeroplani. Kujdeset me fanatizëm për lëkurën dhe është shumë aktive në bashkëpunime me brende të njohura si “Versace”, “Tiffany & Co”, “YSL Beauty” dhe këtë vit është në qendër të vëmendjes me “Chanel”, duke prezantuar çantën e re “Chanel 25”.
“Ndoshta, kjo është një teori, Dua mund të ndalojë kohën?”, ka thënë me humor shoqja e saj Mia.
Anesa ka shtuar se Dua ka qenë gjithmonë e organizuar.
“Gjithmonë para të gjithëve. Ne të tjerët mezi ia dalim t’i mbajmë hapin”, ka thënë nëna e yllit.
Çfarë e pret Duan në të tridhjetat?
“Do të më pëlqente ta zgjeroja ‘Service95’ dhe klubin e leximit. Do të doja të botoja autorë të rinj, t’i ndihmoja të realizonin filma dhe seriale”, ka thënë artistja.
Ka prodhuar një dokumentar për skenën muzikore në lagjen “Camden” në Londwr për “Disney+” dhe dëshiron të bëjë më shumë projekte të tilla. Do që festivali i saj në Kosovë të rritet dhe ndoshta një ditë të hapë një label muzikor, për të ndihmuar artistë të tjerë.
“Mendoj si mund të jem në shërbim të artistëve, qoftë në film, TV, libra apo muzikë”, ka thënë Dua.
“Mos vallë mendon se mund t’i bësh të gjitha këto?” e pyesin ndërsa ajo o shikon e u përgjigjet: “Po, asgjë nuk është e pamundur. Mjafton të çohesh dhe ta bësh”.
Në një nga koncertet e saj, pas 22 këngësh dhe pesë ndryshimeve të kostumeve, skena digjej nga energjia.
“Kjo është kënga jonë e fundit! A jeni gati për të kërcyer edhe një herë?”, ka thënë Dua në skenë.
Publiku shpërtheu. Dhe ajo, me energji të jashtëzakonshme, nisi kërcimin me saktësi dhe pasion, me trupin që vibronte në ritmin e muzikës. Ishte sikur kishte transformuar krejt ajrin përreth në një festë të përbashkët.
Pas koncertit, ekipi i saj mbeti pa fjalë. Edhe pse e kishin parë shumë herë, të gjithë pajtoheshin që atë natë Dua kishte tejkaluar çdo pritshmëri. Në dhomën e zhveshjes, mes familjes dhe miqve, ajo u kthye në Duan e thjeshtë, me xhinse dhe një bluzë të kuqe sportive. Ishte vështirë të besoje që ishte i njëjti person që kishte mahnitur mijëra njerëz pak minuta më parë.
“A je e vërtetë?” e pyetën. Ajo qeshi dhe përqafoi gazetaren duke e pyetur “A kalove mirë?”, me thjeshtësi.
Ndoshta kjo është gjithë çfarë mund të kërkohet nga jeta. Dhe sipas Wood duket që kjo është edhe dhurata më e madhe e Dua Lipës: t’u japë njerëzve mundësinë ta shijojnë jetën plotësisht, për miqtë, për fansat dhe për të gjithë ata që e ndjekin çdo natë.
Woods ka shkruar se kush mendon se “Radical Optimism” është thjesht një titull albumi, nuk e ka përjetuar ende botën e Dua Lipës.