Disa prej emrave më të njohur të muzikës rok, përfshirë këtu yjet Paul McCartney dhe Liam Gallagher, iu bashkuan grupit “Foo Fighters” në një koncert emocional dedikuar bateristit të ndjerë të bendit, Taylor Hawkins. Koncerti zuri vend të shtunën mbrëma në Londër.
50-vjeçari Hawkins vdiq në mars të këtij viti në Bogotá të Colombias, vetëm disa orë para performancës së “Foo Fighters” në skenën e festivalit, “Estereo Picnic”. Bendi menjëherë e anuloi pjesëmarrjen në atë ngjarje, si dhe koncertet e mbetura të turneut të tyre botëror.

Koncerti i së shtunës e shënoi performancën e parë të anëtarëve të bendit së bashku, nga vdekja e mikut dhe kolegut të tyre.
Sipas mediave britanike, vokalisti i grupit, Dave Grohl, i përlotur i tha turmës: “Taylorit i pëlqente të performonte në skenë dhe të bënte muzikë me të gjithë. Nuk ekzistojnë shumë njerëz me të cilët ai nuk ka bashkëpunuar. Prandaj, ky grup i miqve, familjarëve dhe muzikantëve, është bërë bashkë pikërisht nga ai”.
Tema e familjes ishte e pranishme gjatë gjithë shout. Në një moment, 16-vjeçari, Oliver Shane Hawkins, iu bashkua grupit të babait të tij të ndjerë, për ta interpretuar këngën e tyre të famshme, “My Hero”.
Taylor Hawkins' son, Shane Hawkins, performing "My Hero" with Foo Fighters ❤️ pic.twitter.com/Bkf81mEtC0
— Ethan Shanfeld (@ethanshanfeld) September 3, 2022
Disa prej muzikantëve të njohur që ishin të pranishëm në këtë organizim për ta nderuar kujtimin dhe karrierën e Hawkinsit ishin, Roger Taylor dhe Brian May nga grupi “Queen”, vokalisti i bendit “AC/DC”, Brian Johnson, muzikanti i njohur amerikan, Nile Rodgers, pop ylli Kesha dhe pjesëmarrësi i festivalit “Eurovision”, Sam Ryder. Komedianët, Dave Chappelle dhe Jason Sudeikis, po ashtu dolën në skenë për të rrëfyer anekdota rreth raportit të tyre me muzikantin e ndjerë.
Ndjekësit e koncertit thanë për kanalin CNN se atmosfera në këtë mbrëmje ishte e jashtëzakonshme, të gjithë ishin aty për ta nderuar Hawkinsin dhe shou nuk mund të ishte më i mirë.
Koncerti i së shtunës ishte i pari nga dy ngjarjet festive të organizuara për nder të Hawkinsit. Një koncert i dytë do të mbahet më 27 shtator në Los Angeles. Fondet nga këto ngjarje do të shkojnë për organizatat bamirëse, “Music Support” dhe “MusiCares”, të dyja të përzgjedhura nga familja e bateristit të ndjerë.
Taylor Hawkins iu bashkua grupit “Foo Fighters” në vitin 1997, duke iu bashkuar atyre në turneun i cili kishte për qëllim ta promovojë albumin e tyre të dytë, “The Color and the Shape”.
{gallery}