Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Grupi “Foo Fighters” anulon të gjitha koncertet e turneut

Foto: AP/Associated Press

Grupi i njohur i muzikës rok, “Foo Fighters”, i ka anuluar të gjitha koncertet e turneut, si pasojë e vdekjes së bateristit, Taylor Hawkins.

Hawkins, vdiq të premten mbrëma (25 mars) në moshën 50-vjeçare. Shkaktari i vdekjes nuk është zbuluar ende për publikun e gjerë.

Lajmin e anulimit të performancave, bendi e bëri të ditur përmes në deklarate të postuar në rrjetet sociale.

“Me shumë pikëllim, grupi ‘Foo Fighters’ e konfirmon anulimin e të gjitha koncerteve të turneut, pas humbjes tronditëse të vëllait tonë, Taylor Hawkins. E kuptojmë plotësisht zhgënjimin tuaj dhe na vjen shumë keq që nuk do të kemi rastin të takohemi me njëri-tjetrin, siç kishim planifikuar. Por, në vend të kësaj, le t’i japim kohë vetes për t’u këndellur, të bëhemi bashkë për të dhuruar, për t’i mbajtur afër vetes më të dashurit tanë dhe për ta vlerësuar të gjithë muzikën dhe kujtimet që i kemi krijuar së bashku”.

 

 

Lajmin e vdekjes së papritur të Taylorit, e bënë të ditur vetë anëtarët e grupit të famshëm me postimin e një deklarate në mediat sociale, ku shkruhej: “Familja ‘Foo Fighters’ është e shkatërruar nga humbja tragjike dhe e parakohshme e të dashurit tonë, Taylor Hawkins. Shpirti i tij muzikor dhe e qeshura infektive do të jetojnë me ne përgjithmonë. Zemrat dhe mendimet tona janë me gruan, fëmijët dhe familjen e tij. Ju kërkojmë që privatësia e tyre të trajtohet me respektin maksimal në këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, thuhej në njoftimin e grupit.

Rok grupi i njohur ishte në mes të turneut në Amerikën Jugore, kur Hawkins vdiq. Performanca e tyre e fundit së bashku zuri vend më 20 mars, në festivalin “Lollapalooza” në Argjentinë, raportoi të mërkurën potali “NME”.

“Foo Fighters” po planifikonin të bënin turne gjatë gjithë vitit, si dhe fansat mezi po e prisnin performancën e tyre në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, këtë të diel.

Artikuj të ngjashëm