Ylli amerikan, Michael Douglas, do ta pranojë një çmim special “Palma e Artë” në edicionin e ardhshëm të Festivalit prestigjioz të filmit në Kanë.
Organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme bënë të ditur se me këtë shpërblim po e vlerësojnë karrierën e mahnitshme të aktorit si dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në kinematografi.
Gjatë ceremonisë së hapjes së festivalit më 16 maj, Douglas do të nderohet me disa fjalë mirënjohjeje, para se t’i dorëzohet çmimi para mysafirëve të pranishëm në sallë.
Michael Douglas për herë të fundit e ndoqi Festivalin ndërkombëtarë të filmit në Kanë në vitin 2013, kur u shfaq premiera e filmit “Behind the Candelabra”. Në këtë projekt ai e portretizoi Liberacen. Por, paraqitja më e njohur e aktorit mbi qilimin e kuq të shtruar në rivierën franceze ishte në vitin 1992, kur i shoqëruar nga Sharon Stone, e promovoi filmin “Basic Instinct”.
Në të kaluarën me çmim special “Palma e Artë” janë nderuar yjet: Forest Whitaker, Agnès Varda, Jean-Pierre Léaud, Jodie Foster dhe të tjerë.