Këngëtarja me rrënjë nga Kosova e me famë botërore, Rita Ora, ka dhënë mesazhin e saj për botën dhe njerëzit e rinj, në një deklaratë për “Dose of Society” që ka mision të sjellë zërin e njerëzve për inspirim dhe lidhje me të tjerët.
Në një video të publikuar në kanalin e “Dose of Society” në Instagram me 1.7 milionë ndjekës, Rita ka treguar edhe se çka do t’i thoshte vetes së vet më të re.
“Mos u brengos. Gjithmonë gjithçka do të jetë në rregull. Gjithçka lidhet me rrugëtimin. Ky është rrëfimi juaj. Dhe kurrë mos mendo e ndjej sikur rrëfimi juaj duhet të jetë si i dikujt tjetër”, ka thënë ajo.
Se përse e ka fituar këtë përshtypje, Rita ka thënë se gjërat “nuk po ecnin shpejt mjaftueshëm”. “Kam menduar se gjërat do të duhej të ishin më shpejt, por se ato kanë ndodhur ashtu siç ishte paraparë të ndodhnin”.
Rita ka thënë se ndihet e bekuar dhe me fat që e bën punën që gjithmonë ka ëndërruar.
Ajo ka treguar edhe se çka ka mësuar përgjatë rrugëtimit të saj.
“Që e dua atë që bëj dhe që jam me fat që e bëj atë që e bëj dhe që jam e bekuar. Dhe më duhet ta kujtoj këtë, që po bëj një punë që gjithmonë kam dashur ta bëja. Disa njerëz kanë punë që nuk donin t’i bënin”, ka thënë ajo.
Këngëtarja shqiptare me famë është shprehur se duhet të respektohen të gjithë njerëzit “pasi ju nuk e dini se si mund të kthehen këta njerëz në jetën tuaj”.
“Se këdo që e takoni e meriton të njëjtin respekt sepse ju po ashtu nuk e dini se si mund të kthehen këta njerëz në jetën tuaj, si mund t’ju ndihmojë në të ardhmen apo çfarë raportesh mund të bëni me ta...Ti mjafton. Ju gjithmonë mund të gjeni dyshime se nuk po bëni mjaftueshëm, se s’keni sukses, pasuri, por mos harroni se ju vetëm si person jeni mjaftueshëm. Je vetëm një. Mos e harro kurrë”, ka shtuar Rita Ora.