Showbiz

Meghan Markle ka pësuar abort spontan në korrik të këtij viti

Meghan Markle, dukesha e Sussexit dhe njëherësh bashkëshortja e Princit të Britanisë së Madhe, Harry, e ka zbuluar lajmin përmes një artikulli të publikuar në gazetën “New York Times”, se kishte pësuar abort spontan.

Shkrimi i fundit amerikanes Markle, po konsiderohet jashtëzakonisht personal dhe një rrëfim i rrallë nga një anëtare e familjes mbretërore Britanike, transmeton Koha.

Dukesha e Sussexit në këtë artikull ekskluziv ka shkruar në detaje për eksperiencën e dhimbshme të abortit, e cila kishte ndodhur në korrik të këtij viti teksa Meghan po kujdesej për djalin e saj të vogël, Archie.

“Unë e dija, teksa e shtrëngoja në përqafim djalin tim të parë, se po e humbja fëmijën e dytë. Humbja e një fëmijë do të thotë se duhet të jetosh me një pikëllim të padurueshëm për gjithë jetën, dhe fatkeqësisht është një gjë që shumë njerëz e përjetojnë dhe pak flasin për të. Nga dhimbja e humbjes sonë, burri im dhe unë zbuluam se në një grup prej 100 grash, 10 apo 20 prej tyre do ta përjetojnë abortin një herë në jetë. Megjithatë, përkundër faktit se kjo është një dhimbje e përbashkët për shumë gra, aborti mbetet një temë tabu e shoqëruar me turp të pajustifikuar dhe dhimbje shpirtërore e cila të shoqëron gjithë jetën”.

Meghan dhe Harry, një prej çifteve më të pëlqyera dhe të ndjekur nga publiku, hoqën dorë nga obligimet zyrtare të familjes mbretërore në fillim të vitit, dhe u shpërngulën për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata po tentojnë ta krijojnë një rol të ri në jetën e tyre publike, larg rregullave strikte të rrethit mbretëror në Britani të Madhe.

Gjyshja e Harryt, mbretëresha Elizabeth, në 68-të vjetët e udhëheqjes së monarkisë, asnjëherë nuk ka diskutuar jetën e saj private në ndonjë intervistë mediale.