Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, ka deklaruar se ndihet e lumtur që dy fëmijët e saj me Princin Harry “janë ende shumë të vegjël për rrjete sociale”, por e di se kjo do të përfundojë së shpejti.
Dukesha dhe Princi Harry morën pjesë të enjten (9 tetor 2025) në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor të organizuar nga “Project Healthy Minds” në New York, ku u shpërblyen me çmimin “Humanitarët e Vitit” për punën e tyre në krijimin e një bote më të sigurt në internet për familjet dhe të rinjtë, ka raportuar FemaleFirst.
Gjatë fjalimit të saj, Markle ka folur për mënyrën se si ajo dhe Harry po rrisin dy fëmijët e tyre, Archien, 6 vjeç, dhe Lilibet, 4 vjeçe, në një epokë dixhitale.

“Fëmijët tanë, Archie dhe Lilibet, janë vetëm gjashtë dhe katër vjeç. A mund ta besoni? Për fat të mirë, ata janë ende shumë të vegjël për rrjete sociale, por e dimë që ajo ditë po afron. Ashtu si shumë prindër, ne mendojmë vazhdimisht se si të përfitojmë nga avantazhet e teknologjisë, duke i mbrojtur njëkohësisht nga rreziqet e saj. Dhe ky qëllim shpresëdhënës për t’i ndarë të dyja po bëhet gjithnjë e më i pamundur”, ka thënë ajo.
Çifti mbretëror u vlerësua edhe për nismat e tyre për përmirësimin e mirëqenies mendore në mbarë botën përmes fondacionit të tyre “Archewell Foundation” dhe “The Parents Network”, të themeluar në vitin 2023 për të mbështetur familjet e prekura nga dëmet online.
“Sonte jemi mbledhur për t’u përqendruar në një nga çështjet më urgjente të kohës sonë. Ky është një moment vendimtar në misionin tonë të përbashkët për të mbrojtur fëmijët dhe për të mbështetur familjet në epokën dixhitale, dhe nuk mund ta bëjmë pa ju”, ka thënë Herry.
Princi ka shtuar se ata planifikojnë të bashkëpunojnë me organizatën amerikane “ParentsTogether”, e cila punon për sigurinë e familjeve në internet.
“E dinim që kjo lëvizje duhej të zgjerohej. Këto familje nuk përballen vetëm me korporata dhe lobues që shpenzojnë dhjetëra milionë dollarë për të fshehur të vërtetën, por edhe me algoritme të krijuara për të mbledhur sa më shumë të dhëna me çdo kusht”, ka thënë ai.
Në fund, Markle ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes prindërve.

“E dimë që kur prindërit bashkohen, kur komunitetet bëhen një, ndodhin ndryshime të mëdha. E kemi parë këtë dhe po e shohim të ndodhë përsëri. Me mbështetjen tuaj, do të vazhdojmë të ndërtojmë një botë dixhitale më të sigurt për të gjithë fëmijët tanë. Në emër të bashkëshortit tim dhe në emrin tim, ju falënderoj që jeni këtu sonte. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe për faktin që qëndroni me ne në këtë punë kaq të rëndësishme”, ka thënë Markle.