Showbiz

Mbreti Charles nuk mund t’ia heqë titujt mbretërorë princit Andrew

Mbreti Charls nuk mund t’ia heq titujt mbretërorë vëllait të tij, princit Andrew, pasi që të mërkurën dolën në publik dokumente të reja nga lidhja e Andrewt me financierin amerikan Jeffrey Epstein i cili më 2015 u padit për shfrytëzim dhe trafikim seksual të grave. Më pas ai ka bërë vetëvrasje në burg ndërsa ishte në pritje të gjykimit.

Siç ka raportuar blogu për familjet mbretërore evropiane “Gert’s Royals”, nuk është në planet e Charlesit 75-vjeçar që t’ia heqë titujt e mbetur mbretërorë vëllait të tij. Madje thuhet se as nuk ka fuqi.

“Parlamenti mund të heqë titujt. Por ata do ta kenë të vështirë në këtë rast. Parlamenti ose Komiteti i Konfiskimit të Nderit nuk kanë kompetencat për të vendosur nëse dikush është fajtor për një krim. Është detyra e gjykatave të përcaktojnë nëse dikush është fajtor. Dhe pastaj degë të tjera mund të veprojnë sipas këtij vendimi. Dhe meqë nuk ka pasur kurrë asnjë akuzë apo dënim kundër princit Andrew, në sytë e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ai është i pafajshëm”, ka shkruar në rrjetin social “X” Gert’s Toyal.

Princi Andrew përmendet në padinë që Virgina Giuffre bëri kundër Epsteinit në vitin 2015 për trafikim dhe shfrytëzim seksual të grave. Giuffre pretendon se ajo ishte e detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me princin tre herë midis viteve 1999 dhe 2002 në Londër, New York dhe në një ishull privat të Karaibeve në pronësi të Epsteinit kur ajo ishte 17 vjeçe.

Djali i mbretëreshës së ndjerë Elizabeth, më parë pranoi se e njihte Epsteinin, por ka mohuar akuzat. Në vitin 2019, princi Andrew në një intervistë për BBC-në, pati thënë se nuk i kujtohet se e kishte takuar ndonjëherë Giuffren.

Në atë kohë princi Andrew i kishte kërkuar mamasë së tij që ta lironte nga titujt mbretërorë në mënyrë që të mos njollosej emri i familjes, ani pse ai kishte thënë se nuk ka bërë asnjë veprim të keq. Ai gjithashtu pati thënë se është pishman që është shoqëruar me Epsteinin.

“Vazhdoj të pendohem pa mëdyshje për shoqërimin tim të gjykuar keq me Jeffrey Epsteinin. Vetëvrasja e tij ka lënë shumë pyetje pa përgjigje, veçanërisht për viktimat e tij. Unë ndjej thellësisht këdo që është prekur dhe dëshiron një formë mbylljeje të kësaj çështje. Unë vetëm mund të shpresoj se, me kalimin e kohës, ato do të jenë në gjendje të rindërtojnë jetën e tyre. Natyrisht, jam i gatshëm të ndihmoj çdo agjenci të përshtatshme të zbatimit të ligjit me hetimet e tyre, nëse kërkohet”, pati thënë princi.

Pasi padia për sulme seksuale u ngrit nga Giuffre, Mbretëresha Elizabeth i hoqi princit Andrew titujt dhe patronazhet e tij ushtarake në vitin 2022. Vendimi për t'ia hequr djalit të saj titujt dhe përkatësitë e tij u diskutua gjerësisht brenda radhëve të larta të familjes mbretërore, që nënkuptohet të kenë qenë midis Mbretëreshës Elizabeth, princit të atëhershëm Charles dhe Princit William, ka konfirmuar një burim mbretëror për PEOPLE.

Një zgjidhje jashtë gjykatës për një shumë të pazbuluar u arrit në muajin shkurt të vitit 2022.

Pavarësisht se u tërhoq nga detyrat publike dhe humbi përkatësitë e tij ushtarake, princi Andrew ruajti titullin e tij si “Duka i Yorkut” dhe mbajti vendin e tij në linjën e pasimit të fronit, i cili aktualisht është i teti pas dy fëmijëve të Princit Harry dhe Meghan Markle. Megjithatë, ai nuk do të përdorte më stilin “lartëmadhëria e tij” në asnjë kapacitet zyrtar.

Princi Andrew gjithashtu ka vazhduar të marrë pjesë në ngjarjet familjare. Kohët e fundit, ai u bashkua me familjen mbretërore gjatë daljes së tyre vjetore të ditës së Krishtlindjes në kishë.