Mbreti Charles dhe aktorja fituese e çmimit “Oscar”, Cate Blanchett, janë bashkuar për një projekt të veçantë: një podcast të ri me temë mjedisin.
Episodi, i quajtur “Unearthed: The Need for Seeds”, u incizua në muajin korrik në Windsor dhe përfshin edhe doktoreshën Elinor Breman nga Royal Botanic Gardens, Kew, ka raportuar FemaleFirst.
Podcasti ndalet te Millennium Seed Bank, një qendër globale e ruajtjes së bimëve që u hap në vitin 2000 nga vetë mbreti Charles dhe drejtohet nga Kew Gardens.
Që atëherë, ky vend ka ruajtur mbi 2.5 miliardë fara nga më shumë se 40 mijë lloje bimësh, të mbajtura në temperatura -20°C në Wakehurst, West Sussex.
Gjatë bisedës, Blanchette, ka shprehur shqetësimin e saj për shkatërrimin e natyrës.
“Ka një ndjenjë urgjence në punën që bën banka e farave. U trondita kur mësova se 97 për qind e livadheve me lule të egra janë zhdukur. Nuk mendoj se e kuptojmë plotësisht këtë, sepse kur shohim përreth, shohim bukuri natyrore, por nuk mendojmë sa e brishtë është ajo”, ka thënë 56 vjeçja .
Ndërsa mbreti Charles, ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit për brezat e ardhshëm.
“E dija se sa shumë dëm i ishte bërë livadheve tona që nga lufta. Prandaj mendova se ishte një rast i mirë për të folur për këtë çështje. Jam shumë krenar që jam patron i Kew, ajo që po bën banka e farave është e mrekullueshme, por duhet ta përshpejtojmë procesin”, ka thënë 76 vjeçi.
Në podcast, ata diskutuan gjithashtu rolet që luan industria farmaceutike në mbrojtjen e jetës bimore, duke qenë se shumë ilaçe burojnë pikërisht nga bimët.
Ky nuk është debutimi i parë i Mbretit në botën e audio-përmbajtjes.
Në muajin mars, ai ka krijuar një playlist për platformën Apple Music me titull “The King’s Music Room”, për Ditën e Komonuelthit, ku përfshiu këngë nga artistë si Kylie Minogue (“The Loco-Motion”) dhe Beyoncé (“Crazy in Love”).