Princesha e Uellsit, Kate Middleton, duket se ka braktisur dukjen e re me flokë bionde në favor të stilit të saj tradicional.
43-vjeçarja, kishte tërhequr vëmendjen javë më parë kur u pa me flokë shumë më të çelur. Edhe më 4 shtator, gjatë një angazhimi në Londër me princin William, ajo shfaqi sërish nuancat e arta, ka raportuar Fox News.

Por, në fotografitë e reja nga Kampionati Botëror i Ragbit në konkurrencë të femrave, të shtunën, flokët e saj dukeshin dukshëm më të errët, më afër dukjes së dikurshme.

Ky ndryshim pritet të gëzojë shumë admirues të familjes mbretërore. Megjithëse disa e përgëzuan Middletonen për guximin për t’u bërë bionde, por pati edhe kritika të ashpra. Komentet negative shkuan aq larg, saqë Sam McKnight, stilisti i flokëve të princeshës Diana, ka reaguar në rrjetet sociale.
“Jam i shokuar, i tmerruar, i zhgënjyer dhe i neveritur nga të gjitha komentet e këqija për princeshën e Uellsit sot. Flokët e një gruaje janë diçka shumë personale për të, janë armaturë, mbrojtje, vetëbesim dhe shumë më tepër”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë tutje se nuk mund ta besojë sa të këqija dhe pa asnjë lloj empatie janë këto komente.
“Këto komente, shumica të bëra nga gra të tjera, janë shumë të këqija, që sulmojnë një grua të re e të brishtë, e cila, për shkak të martesës dhe rolit që ka marrë, duhet me guxim të përballet me publikun”, ka thënë ai.
McKnight kujtoi se Middleton vitin e kaluar zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer dhe shtoi se ajo “me siguri do të donte të qëndronte larg vëmendjes publike”.
Në muajin mars të vitit 2024, Kate bëri të ditur përmes një deklarate me video se kishte kancer dhe po i nënshtrohej kimioterapisë. Në shtator 2024, ajo njoftoi se pas tretmanit tash është pa kancer, duke përshkruar përvojën nëntëmujore si “jashtëzakonisht të vështirë” për familjen, por që i kishte sjellë “ndjenjë të re shprese dhe mirënjohjeje për jetën”.
Në vitin 2024, ajo nisi t’i ndryshonte flokët në tone më të ngrohta dhe në muajin prill, në përvjetorin e 14-të të martesës me princin William, i zbuloi edhe më të çelur.
Në muajin korrik, në Wimbledon, vijat e arta në flokët e saj dukeshin edhe më të theksuara. Ndërsa më 24 gusht, në Balmoral të Skocisë, ajo u fotografua me nuancën më të çelur deri atëherë.