Showbiz

Kate Winslet do ta huazojë zërin në dokumentarin e ri të mbretit Charles për mjedisin

Mbreti Charles dhe Kate Winslet

Mbreti Charles dhe Kate Winslet

Foto: Associated Press

Aktorja britanike Kate Winslet do të jetë zëri rrëfyes i dokumentarit të ri të Mbretit Charles për mjedisin, me titull “Finding Harmony: A King’s Vision”, që do të shfaqet në Amazon Prime.

Fituesja e çmimit “Oscar” dhe ylli i serialit “Mare of Easttown”, e cila në muajin qershor u shpall ambasadore e “The King’s Foundation”, ka thënë se ka qenë “kënaqësi dhe privilegj” të punojë në këtë projekt që synon të frymëzojë njerëzit për ta mbrojtur planetin.

“Është njëkohësisht kënaqësi dhe privilegj të jem pjesë e këtij filmi. Unë ndaj me madhërinë e tij pasionin për mbrojtjen e planetit dhe ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme, ndaj ka qenë shumë shpërblyese të punoj me ‘The King’s Foundation’ në këtë projekt emocionues”, ka thënë Winslet, ka raportuar FemaleFirst.

Aktorja ka shtuar se dokumentari ofron një pasqyrë magjepsëse në punën e mbretit si ambientalist.

Ajo beson se publiku “do të mësojë, do të qeshë dhe do të ndihet i frymëzuar nga ajo që paraqitet në filmin dokumentar”, duke shpresuar që ndikimi i tij “të ndihet për shumë vite me radhë”.

Mbretit Charles, 76 vjeç, ka deklaruar se shpresa e tij më e madhe është që dokumentari të nxisë një brez të ri për të ndihmuar në shpëtimin e planetit.

“Natyra është ajo që na mban gjallë; ne jemi pjesë e saj. Pra, çfarëdo që i bëjmë asaj, ia bëjmë vetes. Për pjesën më të madhe të jetës sime, jam përpjekur të promovoj mënyra për të punuar me natyrën, e jo kundër saj. Kjo do të thotë të rikthejmë ekuilibrin e planetit tonë, që është nën kaq shumë stres”, ka thënë ai.

Sipas mbretit, filmi do të tregojë disa nga punët e jashtëzakonshme që po bëhen në botë për të sjellë harmoninë në praktikë, nga pyjet e Guajanës, te komunitetet e qëndrueshme në Indi dhe, më afër nesh, përmes punës së The King’s Foundation në Dumfries House dhe Highgrove.

“Është koha që bota të bëjë përpjekje të përbashkët për ta mbrojtur dhe për ta vënë në prioritet planetin tonë. Shpresa ime më e madhe është që ky film të frymëzojë një audiencë të re për të mësuar rreth filozofisë së harmonisë dhe të zgjojë te ata të njëjtin vendosmëri që më ka dhënë mua për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme”, ka thënë tutje mbreti.

Xhirimet për dokumentarin nisën në muajin janar në Dumfries House në Skoci, ku ndodhet selia e fondacionit, ndërsa një nga të ftuarit specialë do të jetë ambasadori i fondacionit, ish-futbollisti i njohur, David Beckham.

“Ne jemi krenarë që kemi qëndruar për 35 vjet pranë mbretit në udhëtimin e tij të harmonisë. Është emocionuese ta shohësh këtë udhëtim të dokumentuar në film. Puna jonë përfshin shumë nga pasionet e mbretit, nga mbrojtja e zanateve tradicionale, te edukimi i të rinjve për natyrën dhe ndërtimi i qyteteve të qëndrueshme. Është kënaqësi ta shohim këtë përfaqësuar në ekran”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e “The King’s Foundation”, Kristina Murrin.

Kamerat kanë qenë të pranishme edhe në shtëpinë e mbretit në Highgrove, ku në muajin korrik u incizua edhe “Harmony Summit”, një ngjarje që përfshiu elemente tradicionale dhe kulturore në nder të natyrës.

Dokumentari do të përfshijë pamje arkivore nga fjalimet dhe angazhimet e mbretit Charles, por prania e tij në film do të jetë e kufizuar, për t’u përqendruar më shumë në idetë dhe punën e tij për mjedisin.