Mbretëresha e Halloweenit, supermodelja Heidi Klum, u vesh si fazan për festën e përvitshme, raporton AP.
Përveç se u maskua vetë, ajo mori disa valltarë që ta kompletonte sa më mirë kostumin.
50-vjeçarja e cila organizon për çdo vit një ndejë për natën e frikshme dhe përkushtohet shumë për kostumet, ka thënë se kostumi që bëri vjet për ndejën ishte “i thjeshtë”.
Gjermano-amerikania gjithashtu ka thënë se mendoi gjatë në çfarë do të shndërrohej sivjet duke dashur të bëhej ndonjë kafshë që ndërthur në vete edhe të tjerë persona.
“Po mendoja për fazanin sepse është disi i mbledhur me puplat e tij dhe pastaj hapet. Dhe doja të bëja shfaqje artistike me kostumin tim”, ka thënë modelja.
U deshën gjashtë orë për t’i përfunduar flokët dhe grimin. Për bashkëpunimin me dhjetë valltarët e “Cirque du Soleil” ajo tha se ishte fantastik.
Ajo gjithashtu ka thënë se e parafytyroi dukjen si epike dhe iu desh të bënte 10 orë udhëtim vajtje-ardhje vetëm për të parë se si po shkonin punët me kostumin e sivjetmë.
Supermodelja njihet për përkushtimin e saj të madh ndaj kostumeve për festën e Halloweenit. Ajo më parë është bërë si princesha Fiona nga filmi ”Shrek”, si personazhi i filmave vizatimor Jessica Rabit, si personazhi i filmit “The Mask”, etj.