Netflixi e ka publikuar trilerin e parë për filmin e shumëpritur të Martin Scorsese të titulluar “The Irishman”, ku luajnë Robert De Niro, Al Pacino dhe Joe Pesci.
Regjisori legjendar e paralajmëroi filmin në vitin 2010, kur tha se do të ribashkohej me Robert De Niron për ta bërë adaptimin filmik të librit të Charles Brandt "I Heard You Paint Houses". Kjo ende nuk ka ndodhur, ndër të tjera për shkak të parave që nevojiten për të investuar për t’i ripërtërirë aktorët në mënyrë digjitale, raporton Esquire.com.
Me ndihmën e Netflixit, Scorsese më në fund e realizoi idenë e tij. Frank Sheeran, të cilin e luan De Niro, kryen punë të pista për mafinë dhe, sipas të gjitha gjasave, është i përfshirë në vrasjen e Jimmy Hoffa, të cilin e luan Al Pacino. Gjatë gjithë trilerit shkëmbehen skena të vrasjeve që i ka kryer Sheeran për mafinë, shkruan KOHA Ditore.

Përveç tre mafiozëve më të mëdhenj nga ekranet e filmit, De Niro, Pacino dhe Pesci, në “The Irishman” luajnë edhe Bobby Cannavale, Anna Paquin, Ray Romano dhe Jesse Plemons.