Showbiz

“Materialists” filmi ku Dakota Johnson takohet me Pedro Pascalin dhe Chris Evansin

Chris Evans, Dakota Johnson dhe Pedro Pascal

Chris Evans, Dakota Johnson dhe Pedro Pascal

Regjisorja Celine Song, pas suksesit me filmin “Past Lives”, rikthehet me një film të zhanrit komedi romantike me titull “Materialists”, me aktorët Dakota Johnson, Pedro Pascal dhe Chris Evans në rolet kryesore.

Traileri i filmit:

Dashuria apo komeditë romantike, cila është ende gjallë? Sipas The New York Times (NYT) kjo është pyetja që përshkon gjithë filmin, i cili luan me idenë e dashurisë në kohët moderne dhe e shikon marrëdhënien si të ishte një treg ku gjithçka blihet dhe shitet.

Filmi zhvillohet në New York dhe ndjek historinë e Lucyt (rolin e të cilës e luan Johnson), një ndërmjetëse profesionale që e ka kthyer dashurinë në biznes, duke u propozuar personave të ndyshëm të takohen mes vete. Kjo zgjat deri kur ajo vetë përfshihet në një trekëndësh dashurie me dy burra krejt të ndryshëm: Johnin (rolin e të cilit e luan Evans), një i varfër simpatik dhe Harryn (rolin e të cilit e luan Pascal), një miliarder që ka edhe jaht luksoz.

Një nga skenat më tërheqëse ndodh në një dasmë, ku Lucy dhe Harry fillojnë të flirtojnë në mënyrë plot humor. Lucy fillimisht e sheh Harryn si klient potencial, “unicorn”, siç i quan ajo burrat e pasur, të gjatë dhe me flokë të plotë. Por Harry duket më i interesuar për të si grua. Flirtimi i tyre bëhet edhe më interesant kur në skenë shfaqet Johni, ish-i dashuri i Lucyt, i cili punon si kamarier dhe sjell pijen e saj të preferuar: “Një Coca-Cola dhe një birrë.” Këtu fillon “beteja.”

Në këtë film, dashuria është prezantuar si një marrëveshje ekonomike. Klientët e Lucyt kanë kërkesa shumë të sakta për partnerët: gjatësi, peshë, moshë dhe para. Një nga klientët, i pakënaqur, i thotë Lucyt: “Ajo është 40 vjeç dhe e shëndoshë. Unë kurrë nuk do të bëja ndërrim për një grua si ajo”.
Ky moment e lë Lucyn pa fjalë dhe, sipas NYT, tregon qartë se regjisorja Song nuk ka dashur të bëjë një komedi romantike naive. Ky koment i ashpër i klientit hap një pyetje më të thellë: çfarë mendojnë me të vërtetë disa burra për gratë?

Filmi, ani pse ka skena të ëmbla dhe momente plot sharm mes Lucyt dhe dy burrave, nuk është histori klasike dashurie. Celine Song analizon marrëdhëniet në epokën e aplikacioneve për takime, ku gjithçka matet dhe peshohet.

“Unë jam një grua moderne. Nuk është se familjes time i duhet një lopë”, i thotë Lucyt një grua moderne që së shpejti do të martohet.

Me këtë fjali, Song ironizon mënyrën se si dashuria dhe martesa shpesh duken si pazare, ndonëse jetojmë në kohë moderne.

Sipas NYT Johnson shkëlqen në këtë rol. Ajo duket e natyrshme, pa mbrojtje dhe me një energji të qetë, duke e bërë Lucyn personazh shumë tërheqës dhe të besueshëm. Një nga skenat më domethënëse është kur filmi e prezanton Lucyn për herë të parë: ajo shikohet në pasqyrë duke bërë grim, një reflektim i saj dhe i asaj që do të përfaqësojë në film.

Nga ana tjetër, Pascal, me sharmin e tij natyral, e bën personazhin Harry të dashur për publikun edhe pse është miliarder që ka apartament 12 milionë dollarësh. Ndërsa Evans, i njohur për rolin si Captain America, e luan Johnin me një ndjeshmëri të veçantë: një burrë i thyer nga jeta dhe dashuria, që mbart një ndjenjë mungese e trishtimi pas buzëqeshjes.

NYT ka shkruar se kjo komedi romantike është vështirë të quhet “klasike”. Sipas artikullit, regjisorja Song sjell një qasje të re ndaj këtij zhanri. Ajo nuk krijon histori të lehtë e të ëmbël si në filmat klasikë të dashurisë, por tregon konfliktin mes dashurisë së pastër dhe realitetit materialist. Ajo përfshin edhe tema serioze si dhuna seksuale, duke e larguar filmin nga modelet tradicionale të komedive romantike të viteve ‘30 dhe ‘40, ku gjithçka përfundonte me lumturi.

Edhe pse ndonjëherë pesha e realitetit duket se e mbulon shpresën për një fund të lumtur, Song përpiqet të gjejë ekuilibrin mes ëndrrës dhe kritikës sociale.

Siç ka shkruar NYT, duket sikur ajo “dëshiron të ketë tortën e dasmës dhe ta kritikojë atë njëkohësisht”.