Showbiz

Dakota Johnson e lumtur që është fytyra e re e brendit “Valentino”

Dakota Johnson

Dakota Johnson

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur e Hollywoodit, Dakota Johnson, ka thënë se ndihet e lumtur dhe e emocionuar që është bërë fytyra e re globale e shtëpisë së modës “Valentino”.

Ylli i filmit “Fifty Shades of Grey”, është emëruar ambasadore ndërkombëtare e brendit italian dhe do të punojë ngushtë me drejtorin kreativ Alessandro Michele, me të cilin ka bashkëpunuar më parë gjatë kohës që ai drejtonte brendin “Gucci”.

“Jam e lumtur përtej fjalëve që po i bashkohem familjes ‘Valentino’, dhe jashtëzakonisht e gëzuar që po ribashkohem me mikun tim më të dashur, Alessandro Michele. Jam e nderuar dhe e emocionuar që po filloj këtë kapitull të ri me një ekip kaq të mrekullueshëm dhe të talentuar”, ka thënë 36-vjeçarja në një deklaratë për WWD, ka raportuar FemaleFirst.

Nga ana tjetër, shtëpia e modës “Valentino”, përmes një komunikate zyrtare, ka deklaruar se emërimi i  Johnsonit shënon vazhdimin e frymës së krijuesit të brendit, i cili ka për qëllim të bashkëpunojë me individë që mishërojnë përkushtimin ndaj artit, elegancës dhe ndikimit kulturor.

Johnson i bashkohet kështu aktorit Colman Domingo, i cili gjithashtu është bërë ambasador i linjës së parfumit të “Valentinos”.

Kohët e fundit, aktorja ka folur edhe për stilin e saj personal, duke pranuar se është “emocionalisht e lidhur” me flokët e saj dhe se nuk planifikon ndonjë ndryshim drastik.

“Oh, Zot! E di çfarë? Unë jam, sigurisht, fizikisht e lidhur me flokët e mi, por jam shumë edhe emocionalisht e lidhur me to. Duhet ndoshta t’i ndryshoj gjërat ndonjëherë, por nuk mendoj se do ta bëj”, ka thënë Johnson për Etalk.

Aktorja njihet për flokët e gjatë dhe balluket e dendura, të cilat janë kthyer në një shenjë të veçantë të stilit të saj.

Parukieri i saj prej vitesh, Mark Townsend, ka treguar për “L’Officiel UK” se aktorja ndonjëherë i pret vetë balluket kur është larg sallonit.

“Ajo ka një fytyrë në formë zemre, balli i saj është më i gjerë se nofulla, dhe ky tip fytyre kërkon balluke. Ndryshojmë herë pas here gjatësinë, ndonjëherë ajo i preferon mbi vetulla. Mua më pëlqejnë kur janë mes vetullës dhe qerpikëve, që është një hapësirë shumë e vogël, ndaj e pres çdo dy javë për t’i mbajtur perfekte. Por kur është larg, i rregullon vetë ndonjëherë. Nuk i bën keq, por ne gjithsesi duhet t’i balancojmë pak”, ka thënë Townsend.