Showbiz

Malek dhe Crowe e promovojnë dramën e re, “Nuremberg”

Nuremberg

Fituesit e çmimit “Oscar”, Rami Malek dhe Russell Crowe, morën pjesë në premierën e filmit të tyre të ri “Nuremberg” në Los Anxhelos, ku Crowe tha se projekti nuk ka të bëjë aq shumë me një moment historik, por më shumë me dështimin e vazhdueshëm të njerëzimit për të mësuar prej historisë.

“Oh, nuk mendoj kështu. Mendoj se një nga gjërat interesante të historisë është se ajo duket se nuk na mëson asgjë. Ne kalojmë nëpër të njëjtat cikle lakmie dhe marrëzie. Madje edhe gjatë jetës sime kam qenë dëshmitar i disa vendimeve shumë të çuditshme që janë marrë në mënyrë kolektive nga njerëzit. Ky është një film i kohës, por nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me kohën tonë — ka të bëjë me atë se kush jemi ne si qenie njerëzore në të vërtetë”.

Në “Nuremberg”, Malek luan rolin e psikiatrit të Ushtrisë Amerikane Douglas Kelley, i cili ngarkohet me detyrën për të vlerësuar nëse Hermann Göring (i interpretuar nga Crowe) është mendërisht i aftë për t’u përballur me gjyqin e Nurembergut.

Malek tha se e sheh filmin si një mundësi për të përcjellë një mesazh dhe për t’u përballur me çështje që gjithmonë kanë qenë të rëndësishme për të.

“A kam qenë ndonjëherë ndryshe? Gjatë gjithë jetës sime kam qenë. Jam rritur këtu dhe jam biri i emigrantëve që erdhën në këtë qytet në kërkim të një jete më të mirë, prandaj kur shoh ndonjë padrejtësi, përpiqem të përballem me të. Nuk i shmangem. Dhe më pëlqen të mendoj se duke marrë pjesë në një film të tillë, po dërgoj një lloj mesazhi përmes tij gjithashtu. E di që ndonjëherë pyesim nëse kinemaja është një përpjekje e kotë — unë nuk mendoj kështu, sidomos me një film si ky”.

Aktori Colin Hanks, për gazetarët në premierë tha se filmi nxjerr në pah rrezikun e mënyrës se si njerëzit në pushtet mund të justifikojnë edhe veprimet e tyre më të errëta.

“Mendoj se është e rëndësishme të tregojmë se, edhe njerëzit e ligë mund të arsyetojnë gjithçka dhe do t’ju shpjegojnë hap pas hapi pse kanë të drejtë. Dhe kjo është e rrezikshme. Është vërtet e rrezikshme. Mendoj se filmi e ka bërë një punë shumë të mirë për të treguar se sa keq mund të shkojnë gjërat”.

I përshtatur nga regjisori James Vanderbilt, bazuar në librin e Jack El-Hai, “The Nazi and the Psychiatrist”, drama përfshin gjithashtu në kastë aktorët, Leo Woodall, Michael Shannon, Lydia Peckham, Mark O’Brien, Wrenn Schmidt dhe Richard E. Grant.

“Kam pasur dy gjyshër që luftuan në Luftën e Dytë Botërore. Pra, për mua dhe brezin tim, ishte një pjesë e historisë që nuk e përjetuam, por mund ta preknim dhe të dëgjonim histori për të. Kisha miq që kishin humbur gjyshërit e tyre në kampet e përqendrimit. Kështu që përjetohej me shumë emocione, por megjithatë kur flas me fëmijët e mi për këtë ngjarje, është si të flasësh me ta për Revolucionin Amerikan — duket histori kaq e largët. Prandaj mendoj se pjesë e asaj që duam vërtet të bëjmë me këtë film, është ta sjellim përsëri në jetë atë histori”.

“Nuremberg” nis së shfaquri nëpër kinematë amerikane më 7 nëntor.