Reperi amerikan Lil Nas X ka munguar në një seancë gjyqësore në Los Angeles, pasi aktualisht po ndjek trajtim në një qendër të paidentifikuar jashtë shtetit.
Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Los Angelesit, Shellie Samuels, ka thënë se ai lejohet të qëndrojë jashtë shtetit për sa kohë që mbetet nën trajtim.
“Po bëjmë atë që është më e mira për Lil Nas X nga aspekti personal dhe profesional, por mbi të gjitha për mirëqenien e tij. Ai është i rrethuar nga një familje e mrekullueshme dhe një ekip i jashtëzakonshëm njerëzish që e duan dhe kujdesen për të. Ne po i adresojmë ato çështje. Është vërtet kaq e thjeshtë. Ai ka pasur jetë të mrekullueshme dhe do të vazhdojë të ketë. Kjo është vetëm një pengesë që do ta kalojë”, ka thënë për revistën Rolling Stone, avokati i këngëtarit, Drew Findling
Seanca e radhës për reperin 26-vjeçar është caktuar për 18 nëntor.
Lil Nas X, emri i vërtetë i të cilit është Montero Hill, u arrestua më 6 gusht në Los Angeles, pasi policia mori raportime se ai ishte parë duke ecur vetëm me një palë çizme e të brendshme në rrugët e qytetit. Sipas ankesës së parë, ai dyshohet se ka përdorur “forcë dhe dhunë për të shkaktuar lëndim” ndaj tre oficerëve të policisë, ndërsa gjithashtu është akuzuar se ka tentuar “në mënyrë të paligjshme me kërcënime dhe dhunë të pengojë” një oficer të katërt në kryerjen e detyrës.
Reperi është deklaruar i pafajshëm për tre akuza të dhunës ndaj policëve dhe një akuzë për rezistencë ndaj një oficeri ekzekutiv. Në atë kohë, gjykatësi e kishte urdhëruar të ndiqte katër mbledhje të Narcotics Anonymous çdo javë.
Pas arrestimit, babai i reperit, Robert Stafford, hodhi poshtë pretendimet se i biri kishte qenë nën ndikimin e drogës.
“Ai do të marrë ndihmën që i nevojitet dhe ju lutem mbajeni në lutjet tuaja. Jepini mëshirën që Zoti i jep secilit”, pati thënë ai.