Aktori Leonardo DiCaprio thotë se e ndien veten 32-vjeçar, ani se ka mbushur 50 vjet në muajin -nëntor të vitit të kaluar. Ai ka treguar se kjo moshë i ka dhënë dëshirën për të qenë më i sinqertë dhe për të mos humbur kohë.

Në një intervistë për "Esquire", regjisori Paul Thomas Anderson e pyeti:
“Nëse nuk do ta dinit sa vjeç jeni, sa do të thoshit se jeni?”
DiCaprio u përgjigj:
“Tridhjetedy”.

Aktori, i njohur për filmat “Titanic”, “The Wolf of Wall Street” dhe të fundit “One Battle After Another”, ka shpjeguar se 50-vjetori solli ndryshim në qëndrimin e tij.
“Krijon një ndjenjë që të bën të dush të jesh më i sinqertë dhe të mos humbasësh kohë. Mund të imagjinoj vetëm si do të shkojnë dekadat e ardhshme. Shikoj nënën time, për shembull, dhe ajo thotë gjithmonë atë që mendon, pa humbur kohë. Nuk përpiqet ta fshehë asgjë”, ka thënë aktori.

Ai ka shtuar se të qenit më i hapur dhe të rrezikosh që gjërat të shkojnë keq, të kesh mosmarrëveshje apo të ndahesh nga njerëzit në jetën personale ose profesionale, ndodh për faktin se nuk dëshiron të humbësh kohë.
“Duhet të jesh më i sinqertë. Është pothuajse një përgjegjësi, sepse shumë më tepër nga jeta jote është pas teje sesa përpara”, ka thënë ai.

DiCaprio gjithashtu ka folur për mënyrën se si menaxhon kohën midis filmave.
“Mendoj se jam i mirë në këtë, sepse marr shumë pushime midis filmave. Bëj gjërat më rrallë, që do të thotë se mezi pres të kthehem në jetën time të vërtetë sapo përfundoj xhirimet. Jeta vihet në pritje kur je duke xhiruar. Gjithçka ndalon dhe vendoset në plan të dytë jeta jote e vërtetë”, ka thënë ai.

Aktori ka thënë se do të ishte më i shqetësuar nëse do të punonte shumë.
“Të shkoja prej një filmi në tjetrin, do më frikësonte për atë që më pret kur të kthehem. Jam shumë me fat për këtë”, ka thënë ai.
Ylli ka debutuar në film në vitin 1991 dhe ka fituar shumë çmime, përfshirë “Oscarin” për aktorin më të mirë dhe çmimin “Bafta” për filmin “The Revenant” në vitin 2015.
Ai ka zbuluar gjithashtu se pendimi i tij më i madh është që nuk ka bërë filmin “Boogie Nights” të Anderson.

“Shumë rrallë i shoh filmat e mi, por nëse jam i sinqertë, ka një që e kam parë më shumë se të tjerët: ‘The Aviator’. Thjesht sepse ishte një moment shumë i veçantë për mua”, ka thënë ai.
“Kisha punuar me Martyn (regjisorin Martin Scorsese) në ‘Gangs of New York’ dhe kam bartur një libër për Howard Hughes për 10 vjet. Gati bashkëpunova me Michael Mann, por pati një konflikt dhe përfundova duke e çuar projektin te Marty. Isha 30 vjeç. Ishte hera e parë si aktor që ndihesha pjesë reale e produksionit, jo thjesht një aktor i punësuar për të luajtur një rol.
U ndjeva përgjegjës në një mënyrë krejt të re. Gjithmonë jam ndierë krenar dhe i lidhur me atë film si pjesë kryesore e rritjes sime në këtë industri dhe marrjes së rolit të një bashkëpunëtori të vërtetë për herë të parë”, ka thënë ndër të tjera ikona.