Aktori 51-vjeçar Leonardo DiCaprio nuk mundi të udhëtonte nga Karaibet në Kaliforni për ceremoninë e mbajtur të shtunën, ku ishte parashikuar të merrte Çmimin Desert Palm për kontributin e tij në filmin One Battle After Another. Arsyeja ishin kufizimet e hapësirës ajrore pas vendimit të presidentit Donald Trump për të nisur sulme ushtarake në Venezuelë për të rrëzuar regjimin e Nicolas Maduro.
Çmimi i është dorëzuar virtualisht. Një zëdhënës i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs tha për Variety: “Leonardo DiCaprio nuk mund të na bashkohej personalisht për shkak të pengesave të papritura në udhëtim dhe hapësirës së kufizuar ajrore. Megjithatë, jemi të nderuar të njohim punën e tij të jashtëzakonshme dhe kontributin e tij të vazhdueshëm në kinematografi", shkrun The People.
DiCaprio ka shprehur shqetësime për të ardhmen e kinemave, duke thënë se industria po ndryshon shumë shpejt dhe filmi shpesh nuk qëndron gjatë në kinema për t’u shfaqur më pas në platformat online. “Shpresoj që sa më shumë njerëz vizionarë të kenë mundësi të bëjnë gjëra unike që të shihen në kinema. Por kjo mbetet për t’u parë,” tha aktori.
Ai ka shtuar se sfida për të siguruar që filmat të vazhdojnë të shfaqen në kinema është e madhe: “Ky vit duket se është një nga momentet më kritike në historinë e kinemasë. Të tërheqësh njerëzit në kinema po bëhet gjithnjë e më e vështirë.”