Princi Harry ka rrëfyer se si kishte përjetuar të bërtitura dhe të shara nga vëllai i tij, Prince William, kur ata ishin takuar për të diskutuar për të ardhmen e tij dhe të bashkëshortes, Meghan Markle.
Në seritë në Netflix që janë duke u publikuar që disa ditë me radhë, Princi Harry ka thënë se ishte vendimi i tij dhe jo i Meghanit që të largoheshin nga familja mbretërore, raportoi BBC-ja të enjten.
Harry ka deklaruar se babai i tij i kishte thënë gjatë takimit gjëra që “thjesht nuk ishin të vërteta”, ndërkaq gjyshja e tij, tashmë e ndjerë, vetëm e kishte shikuar.
Pallati Buckingham nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me deklaratat e Harryt.
Në dokuseritë e fundit të Harry dhe Meghan në Netflix, ata kanë shpjeguar se përse kishin vendosur të largoheshin nga Pallati dhe t’i linin pas krahëve detyrat mbretërore për t’u zhvendosur në SHBA.
Ata kanë thënë se nuk e kishin mbështetjen e familjes mbretërore, duke shtuar këtu edhe publicitetin negativ që mediat kishin vënë në drejtim të Meghanit për këtë.
Ndërsa gjërat u përkeqësuan për çiftin, Harry ka treguar se kishte shkuar në Sandringham, pasuria mbretërore në Norfolk, në vitin 2020 për të diskutuar skenarët për rolin mbretëror të çiftit, me babanë, vëllain dhe gjyshen e tij, Mbretëreshën e ndjerë.
"Ishte e tmerrshme të kisha vëllain tim që më bërtiste dhe babai im thoshte gjëra që thjesht nuk ishin të vërteta, derisa gjyshja ime qëndronte në heshtje”, ka thënë Harry teksa rrëfen momentin e tensionuar mes tij dhe familjarëve.