Duka i Sussexit, princi Harry, ka thënë se do të donte “të pajtohej” me familjen mbretërore, në një intervistë në të cilën u shpreh i mërzitur që pati humbur sfidën ligjore mbi sigurinë e tij në Mbretërinë e Bashkuar.
Princi Harry ka thënë se mbreti Charles nuk po i flet për shkak të këtyre çështjeve, por ka shtuar se nuk dëshiron të ketë më telashe me të “sepse nuk e di edhe sa gjatë do të jetojë i ati”.
Princi ka folur në një intervistë për BBC-në në Kaliforni, pasi humbi apelin për nivelin e sigurisë që ai dhe familja e tij kanë për periudhën që qëndrojnë në Britani të Madhe. Ai ka kërkuar që ta rifitojë mbrojtjen policore të financuar nga shteti në Mbretërinë e Bashkuar, pas tërheqjes nga detyra mbretërore në vitin 2020.
Pallati Mbretëror ka thënë se “këto çështje janë rishikuar vazhdimisht dhe me kujdes nga gjykatat, dhe gjithmonë kanë rezultuar me të njëjtin rezultat”. Pas vendimit të gjykatës të premten, princi ka thënë se nuk e di se kur do t’i sjellë fëmijët në Britani.
“Ka pasur shumë mospajtime mes meje dhe disa anëtarëve të familjes sime”, ka thënë ai duke shtuar se tashmë “ua ka falur”.
“Do të doja ripajtimin me familjen time. Nuk ka asnjë arsye të vazhdohet të luftohet më shumë, jeta është e çmuar”, ka thënë Harry.
Princi donte t’i përmbyste ndryshimet për sigurinë e tij, që ishin prezantuar në vitin 2020 kur hoqi dorë nga titulli i anëtarit të familjes mbretërore dhe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.