Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Kthehuni”, kënga ikonë që dëgjohet edhe 20 vjet pas lansimit

“Kthehuni” titullohet kënga që e bëri Malësorin të dashur ndër adhuruesit e muzikës shqipe. E lansuar para 20 vjetësh, por ajo vazhdon të dëgjohet ende.

Këngëtari nga Mali i Zi ka thënë në një intervistë për emisionin “Chatroom” në KTV të mërkurën se edhe pse ka qenë këngë që u kushtohet mërgimtarëve që të mos harrojnë vendlindjen, ajo i kërkohet të interpretohet në çdo performancë.

“S’ka performancë që nuk e këndoj. Edhe në dasma ma kërkojnë. S’është këngë për dasma, por e kërkojnë. Janë interesante komentet. Kam përjetuar gjëra shumë të bukura dhe shumë emocionuese gjatë këndimit të kësaj kënge që 20 vjet që kur është publikuar. Kënaqësi shumë e madhe që njerëzit e kanë njëlloj besimi te unë e me i ça hallet e me tregu çfarë u ka bërë kënga ime... shkakton edhe kundëremocione tek unë”, ka thënë ai.

Malësori ka thënë se kjo këngë ka mundur të ketë frymëzuar ndonjë njeri që të kthehet në vendlindje. “I ka frymëzuar ndoshta ata që kanë qenë në fazën se a të kthehen apo jo”, ka deklaruar ai.

Edhe pse ka mbushur 20 vjet nga lansimi, Malësori ka thënë se të rinjtë që i takon i tregojnë se kur kanë qenë fëmijë e kanë dëgjuar.

“Për mua është fat që më njohin dhe më duan dhe respektojnë. E gjithë ajo rini që dikur ka qenë 2-3 vjeçar, e kanë dëgjuar shumë dhe më kanë treguar se e kanë kënduar sikur fëmijë e tash janë rritur e i kanë mbi 20 vjet”, ka thënë Malësori.

Sipas tij, aktualisht është më lehtë të promovohen këngët nëpërmjet rrjeteve sociale sesa në kohën kur qe lansuar “Kthehuni”.

Edhe “Ndryshe” në përqafim të diversitetit EXPRESS “Ndryshe” në përqafim të diversitetit

“Rrjetet sociale janë kryesore për reklamimin e këngëve tona. Përpara ishin televizionet. Ka vite që ne nuk i dërgojmë këngët në televizione dhe i marrin vetë, por në rrjetet sociale sot publikohet e nesër s’është e panjohur. Përpara ka qenë ndryshe dhe televizionin është dashur ta shikosh disa herë për me e pa kur po del kënga”, ka thënë Malësori.

Ai ka treguar se Ilir Beranin e ka bashkëpunëtorin më të madh në karrierë në mbi 90 për qind të këngëve të tij.