Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rita Ora: Ëndërroni dhe punoni për atë që e doni

Dy ditë para se të ngjitet në skenë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, këngëtarja me nam botëror Rira Ora ka motivuar të rinjtë e Shqipërisë nëpërmjet rrëfimit të saj jetësor. Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, në një bashkëbisedim me nxënësit e liceut artistik “Jordan Misja”, ka bërë thirrje që të gjithë të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të punojnë për to. E shoqëruar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ajo ka thënë se në moshën 17-vjeçare ka bërë incizimin e parë, pasi më herët shkruante tekste për të tjerët.

“Nuk varet se çfarë moshe ke pasi gjithmonë ëndërron dhe punon. Unë jam ende fëmijë”, ka thënë ajo para sallës së mbushur përplot me nxënës të drejtimeve të ndryshme. Ora (30) e cila ka një karrierë të bujshme edhe në botën e kinematografisë ka udhëzuar talentët e rinj që duhet të përcaktohen dhe ta dinë vërtet se çfarë duan nga jeta.

“Doni ta bëni familjen të lumtur, veten tuaj apo çfarë? Ju takoni shumë njerëz dhe ju thonë se nuk mund ta bëni atë, ose bëjeni këtë. Por duhet të jeni shumë të fokusuar dhe të mos dëgjoni ato zhurma. Duhet ta provoni se ata nuk kishin të drejtë. Këtë e kam bërë unë”, ka thënë ajo duke motivuar të rinjtë.

Ka thënë se qysh si adoleshente ka nisur të merrej me muzikë dhe ende vazhdon me pasionin e njëjtë.

“Ju jeni ende të rinj dhe duhet ta gjeni veten. Përdoreni instinktin, por bëhuni të mençur dhe duhet të keni vetëbesim”, ka thënë Ora, e cila në janar do të publikojë albumin e ri. Ajo ka thënë se të rinjtë lexojnë libra. Shikojnë gjëra të ndryshme dhe ëndërrojnë. “As unë kurrë nuk do ta ndal ëndërrimin”, ka thënë ajo.

Edhe Rita Ora entuziaste për albumin e ri, tregon cila është ëndrra e saj Showbiz 1 muaj më parë Rita Ora entuziaste për albumin e ri, tregon cila është ëndrra e saj

Ka treguar se qysh si e re gjithmonë ka treguar se vjen nga Kosova. “Jam kosovare. Jam nga një vend me shqiptarë dhe janë të mrekullueshëm”, ka rrëfyer ajo. Ka thënë se shqiptarët janë njerëz tejet të mirë.

“Askush nuk e dinte se nga vija dhe misioni im ishte t’i tregoja secilit. Po ashtu, t’i tregoja se jemi shumë të talentuar”, ka thënë ajo. Ylli i popit ka thënë se ëndrra e saj është që t’ju tregojë të tjerëve se mund të bëjnë shumë gjëra njëkohësisht.

“Mund të jeni muzikantë, aktorë, nënë, gjyshe njëkohësisht...”, ka thënë ajo. Ka rrëfyer se si e vogël gjithmonë ka kënduar dhe se nëna e saj e kishte vërejtur këtë talent.

Në bashkëbisedim e sipër ka thënë se tash është koha kur rrjetet sociale marrin vëmendje të madhe.

“Mendoj se disa njerëz obsesionohen me ndjekësit në media sociale. Kjo është e rëndësishme, por nuk mendoj se definon suksesin tuaj. Nëse ju keni një qëllim dhe punoni për të, do të keni sukses”, ka thënë ajo. Ka rrëfyer se në kohën kur ajo ka nisur karrierën nuk ka pasur rrjete sociale me ndikim aq të madh.

Edhe Rita Ora tregon se është obsesionuar pas të bërit jetë të shëndetshme Showbiz 4 muaj më parë Rita Ora tregon se është obsesionuar pas të bërit jetë të shëndetshme

“Ishte me rëndësi të kishe zërin. Unë kam fansa të cilët nuk janë të pranishëm në rrjete sociale”, ka thënë ajo, derisa ka përmendur yje si Madona e të tjera që asnjëherë nuk janë varur nga rrjetet sociale.

Tirana sivjet është Kryeqyteti Evropian i Rinisë dhe kjo javë është “Java e kulturës britanike”. Në kuadër të këtij organizimi do të mbahet edhe koncerti i Orës. Ajo ka pranuar që të mbajë një koncert falas në Tiranë. Ora kishte interpretuar edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë më 2012 e po ashtu edhe në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës më 2017.