EXPRESS

“Ndryshe” në përqafim të diversitetit

Gati një dekadë e mbush hapësirën kohore midis këngës së titulluar “Larg vetes” deri tek ajo më e fundit publikuar të premten. Këngëtarja, Malda Susuri pas dhjetë vjetësh pauzë nga muzika është rikthyer me projektin muzikor të titulluar “Ndryshe”.

Titulli e përcakton edhe stilin e saj në muzikë, por, mbi të gjitha, mesazhin që Susuri e ka për synim ta përçojë nëpërmjet këngës në tërësi. “Ndryshe” nuk vjen veç si simbolikë për përqafimin e dallimeve midis njerëzve. Është demonstrim në tinguj, tekst e videoklip. Kur dallimet nuk shihen si pengesë, çlirohet potenciali i njerëzve dhe shoqëria ecën para.

Susuri ka thënë se nëpërmjet këtij projekti muzikor përçimi i mesazhit shkon përtej tipareve të dukshme si pamja fizike. Po aq rëndësi kanë edhe aspektet më pak të dukshme.

“Ka me qenë një spot shumë ndryshe. Kur po them ndryshe, do të thotë se përmes këngës jam munduar t’i ndërroj disa vizione ose disa paragjykime që shoqëria jonë ende i ka për njerëzit që duken më ndryshe, që vishen më ndryshe, për njerëzit që ndiejnë ndryshe. Është një apel për shoqërinë që t’i pranojnë ashtu siç janë. Qyshdo që duken. Nuk ka rëndësi a kanë pika në fytyrë, a janë të shkurtër, a janë të gjatë. Secili është i bukur ose i mirë në mënyrën e tij”.

Një thirrje e pati edhe për prindërit e saj duke shprehur falënderimin për ta, për të cilët ka thënë se e kanë përkrahur në çdo aspekt.

“Një tjetër mesazh që unë kisha dashtë shumë ta transmetoj për prindërit, që t’i përkrahin fëmijët e tyre në secilin aspekt. T’ia japin atë mbështetjen që u duhet. Unë i falënderoj prindërit e mi që kurrë nuk më kanë ndalë për asgjë. Gjithmonë ata kanë dashur që unë të jem vetja, unë sot ndihem shumë mirë, por jam pak ndryshe, kështu thonë. Nuk e di”.

Promovimi i këngës “Ndryshe” u bë në një ambient ku të pranishëm ishin plot njerëz të dashur për të. Susuri ka theksuar se e mira e tërë kësaj nate të rëndësishme për të është dashuria që dhuron dhe pranon nga gati secili i pranishëm aty. Teksti, muzika dhe orkestrimi i këngës janë bërë nga këngëtari e tekstshkruesi Armend Rexhepagiqi.

“Në fakt jemi në një ambient jo të mirë, por të shkëlqyer, jemi te Virtyti dhe Ermira, të cilët janë dashamirë të mëdhenj të artit edhe nuk lodhen me mua dhe më përkrahin në çdo moment. Më kanë përkrahur shumë herë e edhe tash dhe për këtë jemi këtu. Sa u përket shoqërisë, prindërve, kolegëve, ish-kolegëve unë gjithmonë kam qenë e afërt, kam mbajtur kontakte dhe i përkrah ata në mënyra të ndryshme, kemi edhe kolegë prej muzikës. Thjeshtësia e bën të veten. Marr dhe dhuroj shumë dashuri”.

Motra e saj, moderatorja Aurora Susuri e ka quajtur frymëzuese duke shprehur emocion për rikthimin e motrës së saj në skenën muzikore pas thuajse një dekade.

“Sonte besoj që të gjithë jemi të emocionuar derisa mirëpresim rikthimin e Maldës në skenën muzikore. Pas një pauze prej afro dhjetë vjetësh Malda rikthehet frymëzuese si çdoherë me këngën e saj më të re të titulluar ‘Ndryshe’. Kjo këngë mban një mesazh të fuqishëm i cili rezonon thellë në të gjithë ne”.

Saksofonisti Arian Randobrava ka thënë se janë të rralla projekte të tilla dhe i mungojnë skenës në vend. Sipas tij, Malda Susuri po sjell një frymë të re.

“Të gjitha këngët e saj Malda i ka me një frymë të re, me një porosi. Është diçka e nevojshme për skenën e muzikës pasi që Malda një kohë e ka pasur një pauzë. Është një rikthim i këndshëm dhe unë e përgëzoj që e ka marrë guximin dhe vullnetin që ta sjellë këtë lloj projekti, sepse te ne nuk janë edhe aq të zakonshme këto. Për fat të mirë ka filluar të mendohet ndryshe, më me kualitet, për muzikë më të mirë, organizim më të mirë dhe po shpresoj që të vazhdojë kësisoj. Pasi që sonte është promovimi i këngës dhe videoklipit, po mendoj që kjo është një indikacion që Malda e ka vendosur në një shpejtësi tjetër përpara e nuk e ka ndërmend të ndalet, kështu që unë vetëm e përgëzoj”.

Pjesë e videoklipit të këngës “Ndryshe” janë personazhe të ndryshme që festojnë për veçantitë e veta. Ato i bëjnë njerëzit edhe më të bukur, siç e thotë edhe teksti. Egzon Vatovci, pjesë e videoklipit, ka folur me shumë emocion për bashkëpunimin me Malda Susurin.

“Të të ftojë Malda për bashkëpunim, një artiste e shkëlqyer. Të të thotë eja e bëjmë ndryshimin, për këtë jam tejet falënderues saqë nuk po mund ta shpreh me fjalë”.

Kënga e parë e Susurit titullohet “Dashuri e hidhur” me të cilën ka marrë pjesë në festivalin e muzikës moderne “Top Fest 3”. Pas festivalit, kënga u bë më e njohur duke u transmetuar në radio e televizione të ndryshme.