Këngëtarja dhe aktorja e muzikës R&B, Casandra Ventura, e njohur si Cassie, ka lindur fëmijën e tretë, në një spital të New Yorkut të marten, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Lajmi u konfirmua të mërkurën, ndërkohë që po vazhdon gjyqi federal ndaj ish-partnerit të saj, Sean “Diddy” Combs, i akuzuar për trafikim seksual dhe abuzime të tjera të rënda. Cassie është dëshmitare kryesore në këtë proces, dhe dëshmoi për katër ditë me radhë në fillim të këtij muaji, duke përshkruar se si ishte rrahur dhe dhunuar seksualisht nga njeriu që dikur e kishte të dashur, ndërkohë që burri i saj, Alex Fine, ishte prezent në dhomën e gjyqit.
Stilisti Deonte Nash, i cili ka punuar për Combs për më shumë se një dekadë, ka dëshmuar të mërkurën në gjykatë dhe ka thënë se ka folur me Cassien një ditë më parë për t’i uruar lindjen e djalit.
Përfaqësuesit e Cassie dhe bashkëshortit të saj nuk kanë dhënë ende koment rreth lindjes.
Cassie, 38 vjeç, u bë e njohur për publikun me hitin “Me & U” në vitin 2006. Ajo është e martuar me trajnerin personal Fine që nga muaji shtator i vitit 2019. Çifti ka dy vajza: Frankie Stone Fine, e lindur në vitin 2019, dhe Sunny Cinco Fine, e lindur në vitin 2021.
Associated Press ka shkruar se zakonisht nuk i publikon emrat e viktimave të abuzimit seksual, përveç rasteve kur ato zgjedhin të dalin publikisht, siç ka bërë vetë Cassie.
Ndërkohë, Combs, 55 vjeç, po gjykohet në New York për akuza se ka shfrytëzuar statusin e tij si drejtues i industrisë së muzikës për të detyruar gra, përfshirë Cassien, të marrin pjesë në festat e ashtuquajtura “Freak Offs”, orgji me punonjës të seksit, burra nën ndikimin e drogës, dhe për akte të tjera abuzive ndaj personave që karriera u varej nga ai.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.
Pasi përfundoi dëshminë në gjykatë, Cassie, e cila ka qenë në një marrëdhënie me Combs për afro një dekadë, ka publikuar një deklaratë përmes avokatit të saj.
“Shpresoj që dëshmia ime të ndihmojë edhe të tjerët që po vuajnë, të shërohen nga abuzimi dhe frika”, thuhet në deklaratën e saj.