Showbiz

Tri vajzat e Diddyt braktisin sallën e gjyqit gjatë dëshmisë së një punonjësi seksi

Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Tri vajzat e reperit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs dolën nga salla e gjyqit gjatë dëshmisë tronditëse të një punonjësi seksi në procesin gjyqësor ndaj tij për krime seksuale dhe akuza për trafikim njerëzor që nisi më 12 maj në New York, ka raportuar revista People.

Daniel Phillip, punonjës i industrisë së seksit, dëshmoi se ishte paguar nga ish-e dashura e Diddyt, këngëtarja, Casandra “Cassie” Ventura, për të kryer marrëdhënie seksuale me të, ndërsa Diddy i shikonte në një qoshe dhe masturbohej. Phillip gjithashtu dëshmoi se ka qenë dëshmitar i sjelljeve të dhunshme të Diddyt ndaj Cassiet.

Vajzat e Diddyt, Chance Combs, e sapodiplomuar në gjimnaz, dhe binjaket 18-vjeçare D’Lila dhe Jessie, lanë sallën e gjyqit dy herë gjatë dëshmisë së Phillip, pikërisht në momentet kur përshkruheshin në detaje skenat seksuale, përfshirë një rast kur Combs supozohet se “masturbohej në qoshe duke i parë”.

Prokurorët paraqitën gjithashtu një video nga kamerat e sigurisë së një hoteli nga viti 2016, ku Diddy shihet duke sulmuar Cassien, duke e shtyrë për tokë dhe duke e goditur me shkelma ndërsa ajo qëndron pa ndjenja.

Vajzat e tij qëndruan në sallë gjatë shfaqjes së videos, ashtu si edhe nëna e Diddyt, Janice Combs.
Të gjithë shikonin drejt, pa reaguar. Edhe djemtë e Diddyt ishin të pranishëm dhe panë videon.

Diddy akuzohet për trafikim seksual, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe trafikim të personave për prostitucion. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Në aktakuzën e vitit 2024 thuhet se ai ka përdorur famën dhe pushtetin e tij për të joshur gra dhe për t’i detyruar të marrin pjesë në festa seksuale të njohura si “Freak Offs”, disa prej të cilave zgjasnin për ditë me radhë.

Në ditën e parë të gjykimit, Diddy u paraqit me një xhemper ngjyrë hiri mbi një këmishë të bardhë dhe pantallona ngjyrë bezhë. Ai i përshëndeti familjarët me një puthje në ajër teksa hynte në sallë.

Diddy në gjyq

Gjatë deklaratës hyrëse, prokurorja amerikane Emily Johnson ka thënë para jurisë se ekziston një “anë tjetër” e yllit fitues të çmimeve "Grammy".

“Një anë që drejtonte një organizatë kriminale”, ka shtuar ajo, duke akuzuar Diddyn për veprime kriminale që shtrihen përgjatë dy dekadave dhe që përfshijnë “rrëmbime, zjarrvënie, drogë dhe krime seksuale”.