Aktorja Kate Winslet, e cila njihet për rolin e Roset në filmin e famshëm “Titanic”, ka folur rreth standardeve të dyfishta që bën Hollywoodi, pasi u quajt “ e guximshme” për paraqitje në skena intime.
Ajo ka thënë se është hutuar pasi njerëzit filluan ta përgëzonin për guximin për të bërë skena intime.
“Për burrat nuk themi: ‘Oh sa i guximshëm, nuk e ka hequr mjekrën. Sa i guximshëm që hoqi bluzën në skenë’. Është thjeshtë çmenduri”, ka thënë Kate për revistën “Extra”.
Ajo tutje ka insistuar se zhveshja që bëri për ta luajtur rolin nuk ishte diçka e guximshme, por trimëria i erdhi kur mori vendimin për ta luajtur rolin.
“Pjesa e guximshme ndodhi në vitin 2015 kur thash ‘kam vendosur ta bëj filmin për Lee Millerin’, dhe nëntë vjet më vonë e bëra. Kjo është pjesa e guximshme. Harrojeni skenën që shfaqem pa grim dhe zhvishem, ajo thjesht është pjesë e punës time”, ka shpjeguar aktorja.
Aktorja, e cila luan rolin e modeles së modës që shndërrohet në fotoreportere, Elizabeth “Lee” Miller në filmin ku bëhet fjalë për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, së fundmi ka treguar se si ndihet për trupin e saj ndërkohë që plaket duke thënë se duket “shumë bukur”.
“Ndihem mirë për trupin tim. Mendoj se dukem mrekullueshëm. Duhet ta përqafojmë figurën që kemi, kjo është e gjitha”, pati thënë Kate në podcastin “How To Fail”.
48 vjeçja ka thënë se njerëzit mendojnë se kur gratë hyjnë në periudhën e menopauzës bëhen më të shëmtuara e ndalojnë së kryeri marrëdhënie intime, por kjo nuk qëndron.
“Mendoj se gratë teksa plaken bëhen më të mira e edhe më ‘sexy’, më në formë e më të fuqishme. Ndërkohë që mbesin ato që janë, por duke u bërë edhe më të afta ta përballojnë periudhën në të cilën po kalojnë. Shpesh iu them shoqeve të mia se duken mrekullueshëm”, ka thënë ajo.