Aktorja Kate Winslet, ka treguar se rolet e vështira emocionalisht kanë ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e saj mendor dhe se shpesh i është dashur mbështetje profesionale për t’u shkëputur nga personazhet që ka interpretuar.
50-vjeçja ka thënë se pas roleve të rënda përjeton atë që e quan “rikthim në jetën reale”, një proces që kërkon kohë dhe energji.
“Ka diçka që ndodh kur je aktor, dhe tingëllon shumë vetëkënaqje, prandaj rrallë e them. Por kur luan një rol shumë të vështirë, mjafton të kujtoj ‘Mare of Easttown’, që më shkatërroi, Zoti im, duhet vërtet të dalësh nga ana tjetër”, ka treguar ajo në podcastin Lessons from Our Mothers, ka raportuar FemaleFirst.
Winslet e përshkruan këtë proces si rikthim te vetja, te miqësitë dhe jeta familjare.
“Rikthimi në jetën tënde, te miqtë, te ritmi i familjes. Lënia pas e një personazhi kërkon kohë. Duhet kohë që ta nxjerrësh atë personazh nga sistemi yt, sidomos kur e ke luajtur për një periudhë të gjatë, siç ndodh në televizion”, ka thënë ajo.
Aktorja fituese e çmimit “Oscar” ka zbuluar se pas xhirimeve të serialit “Mare of Easttown” në vitin 2021, i është dashur ndihmë profesionale për herë të parë në jetën e saj.
“Ishte menduar të ishte një xhirim gjashtëmujor. Pas pesë muajsh erdhi Covidi dhe gjithçka u shty. Kur u kthyem, pesë javët e mbetura u bënë dhjetë. Në fund, e kisha luajtur atë personazh për më shumë se një vit. Dhe sinqerisht, u çmenda pak. Ishte shumë e çuditshme. Është e vetmja herë në jetën time që më është dashur të marr ndihmë serioze për t’u kthyer te vetja”, ka treguar ajo.
Winslet ka pranuar se ende ndihen parehati kur flet për këtë përvojë.
“Duket krejtësisht e çmendur, dhe edhe duke e thënë, ndihem në siklet, sepse e di sa e tepruar mund të tingëllojë”, ka thënë ajo.
Aktorja ka folur edhe për djalin e saj, Joe Anders, 22 vjeç, i cili po ndjek hapat e saj në aktrim dhe aktualisht luan në serialin “Cape Fear” në Apple TV+.
“Ai është disa muaj pas përfundimit të rolit dhe ende po kalon procesin e rikthimit. Jam në gjendje ta mbështes aktivisht si nënë”, ka thënë ajo.