Showbiz

Kate Winslet: Gratë e reja s’e kanë idenë se çfarë do të thotë të jesh vërtet e bukur

Kate Winslet

Kate Winslet

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Kate Winslet, ka shprehur shqetësim për rritjen e përdorimit të kirurgjisë estetike dhe injeksioneve për humbje peshe, duke thënë se mënyra se si njerëzit po e rrezikojnë shëndetin për shkak të idealeve të bukurisë është “e frikshme”.

Aktorja e filmit “Titanic”, e njohur për qëndrimin e saj kundër standardeve jorealiste të bukurisë, ka thënë se është e tronditur nga obsesioni me përsosmërinë dhe kërkimi i vëmendjes në rrjetet sociale.

“Askush nuk po dëgjon më, sepse janë bërë të fiksuar pas ndjekjes së një ideje të përsosmërisë vetëm për të marrë më shumë pëlqime në Instagram. Më shqetëson jashtëzakonisht shumë”, ka Winslet për gazetën The Times.

50 vjeçja ka shtuar se lidhja e fortë mes vetëvlerësimit dhe pamjes së jashtme është alarmuese.

“Është shkatërruese. Nëse vetëbesimi i një personi varet kaq shumë nga pamja, kjo është e frikshme”, ka thënë ajo.

Winslet ka pranuar se ndonjëherë e ka ndjesinë se situata po përmirësohet, sidomos kur sheh aktore që vishen dhe paraqiten ashtu siç duan, pa u shqetësuar për formën e trupit. Por kjo ndjenjë, sipas saj, zbehet shpejt.

“Pastaj sheh sa shumë njerëz po përdorin ilaçe për humbje peshe. Është një kontrast i madh. Disa po zgjedhin të jenë vetvetja, të tjerë bëjnë gjithçka për të mos qenë vetvetja. Dhe a e dinë vërtet se çfarë po fusin në trupin e tyre? Shpërfillja ndaj shëndetit është e frikshme. Më shqetëson më shumë se kurrë. Është kaos total”, është shprehur ajo.

Aktorja ka lavdëruar koleget e saj nga filmi “Goodbye June”, Helen Mirren, Toni Collette dhe Andrea Riseborough, si dhe kolegen  nga filmi “Avatar: Fire and Ash”, Sigourney Weaver, për faktin se, sipas saj, po e mbajnë bukurinë “reale”.

“Duhet të vazhdojmë ta mbajmë gjithçka reale”, ka theksuar Winslet.

Ajo beson se rrudhat dhe njollat e moshës janë pjesë thelbësore e bukurisë së një gruaje, pasi tregojnë historinë e jetës.

“Gjëja ime e preferuar është kur duart plaken. Aty është jeta, në duart e tua”, ka shpjeguar ajo.

Sipas Winslet, disa nga gratë më të bukura që njeh janë mbi moshën 70-vjeçare.

“Ajo që më trishton është se gratë e reja nuk kanë asnjë ide se çfarë do të thotë të jesh vërtet e bukur”, ka thënë ylli.