Bianca Censori, ka zbuluar se bashkëshorti i saj, Kanye West, ka paguar që ajo të shkonte në një klinikë rehabilitimi në Spanjë, pasi kishte nevojë siç ka thënë, të “punonte me veten”.
31-vjeçarja, e cila u martua me reperin kontrovers në vitin 2022, ka folur hapur në një intervistë për Vanity Fair për periudhën e vështirë emocionale që po kalonte.
Sipas revistës, ajo po “vetëmjekohej me benzodiazepina”, medikamente që përdoren për ankthin dhe çrregullime të tjera.
Në intervistë, Censori ka theksuar se West pagoi një shumë “të çmendur” për trajtimin e saj.
“Kisha nevojë të punoja me veten. Kisha modele sjelljeje që jo vetëm më lëndonin mua, por edhe njerëzit përreth meje… Vendosja shumë presion mbi të tjerët që të ishin arsyeja e lumturisë ose pakënaqësisë sime. I fajësoja të tjerët nëse nuk ndihesha mirë”, ka thënë ajo.

Censori e cilësoi rehabilitimin si një pikë kthese në jetën e saj.
“Më ndryshoi jetën. Si është e mundur që u bëra një person krejtësisht tjetër? Isha emocionalisht shumë e paqëndrueshme. Tani mund të funksionoj”, ka thënë ajo.
Censori ka shtuar se vendimi i Westitt për të paguar trajtimin ishte dhurata më e rëndësishme që ai mund t’i bënte ndonjëherë.
“I thashë: ‘Asgjë që më ke blerë ndonjëherë nuk krahasohet me rëndësinë që kjo ka pasur për mua’”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, West ka folur më parë për qëndrimin e tij në rehabilitim në një klinikë në Zvicër vitin e kaluar, duke i dhënë meritë gruas që e inkurajoi të kërkonte ndihmë pasi sjellja e tij kishte dalë jashtë kontrollit.

“Në fund të episodit tim maniak që zgjati katër muaj, më ndryshuan medikamentet. Gjatë atij tranzicioni, ilaçi antipsikotik më çoi në një gjendje shumë të thellë depresive. Gruaja ime e kuptoi këtë dhe kërkuam një korrigjim të stabilizuar dhe efektiv të trajtimit në një qendër rehabilitimi në Zvicër. Duhet ta kuptoni që bipolariteti është një sëmundje. Është një nga sëmundjet jo-terminale më vdekjeprurëse”, pati thënë ai në një intervistë të mëparshme për Vanity Fair.
Megjithatë, 48-vjeçari ka pranuar se ende është duke u përpjekur të gjejë terapinë e duhur për të.
“Më kanë vendosur dhe më kanë hequr nga shumë medikamente. Kjo është pjesë e rrugëtimit… Thjesht po përpiqem të gjej çfarë funksionon për mua, në mënyrë që të vazhdoj në këtë drejtim pozitiv”, ka thënë ai.
Në muajt e fundit, West ka qenë në qendër të polemikave, përfshirë deklarata ku ka lavdëruar Adolf Hitlerin dhe shitjen e bluzave me simbolin nazist svastika.
Javën e kaluar, ai publikoi një shkrim në Wall Street Journal për të shprehur pendesë, duke sqaruar se veprimet e tij kishin qenë rezultat i një episodi të gjatë maniak.