Reperi, Kanye West, ka pranuar publikisht se “e ka humbur kontaktin me realitetin” gjatë një periudhe të gjatë, duke shprehur keqardhje të thellë për sjelljet e tij antisemitiste që shkaktuan reagime të shumta vitin e kaluar.
48-vjeçi ka publikuar një shkrim në Wall Street Journal, në formën e një letre të hapur, ku kërkon falje dhe shpjegon gjendjen e tij mendore, ka raportuar The New York Times.
West, i cili u kritikua ashpër për deklarata ku lavdëronte Adolf Hitlerin dhe për shitjen e bluzave me svastikë, simbol i urrejtjes naziste, ka thënë se këto veprime ndodhën “gjatë një episodi maniak katërmujor, të shoqëruar me psikozë, paranojë dhe sjellje impulsive”.
“Gjëja më e frikshme e këtij çrregullimi është sa bindës bëhet kur të thotë: nuk ke nevojë për ndihmë. Të verbëron, por të bind se ke qartësi. Ndihesh i fuqishëm, i sigurt, i pandalshëm”, ka shkruar ai, duke folur për përvojën e tij me çrregullimin bipolar.
Ai ka pranuar se situata u përkeqësua me kalimin e kohës.
“E humba kontaktin me realitetin. Gjërat u bënë më keq sa më gjatë që e injorova problemin. Thashë dhe bëra gjëra për të cilat pendohem thellësisht”, ka deklaruar West.
Në letrën e tij, ai ka kërkuar falje edhe ndaj njerëzve më të afërt.
“Disa nga njerëzit që i dua më së shumti, i trajtova më keq. Ju përjetuat frikë, konfuzion, poshtërim dhe lodhjen e të jetuarit me dikë që, në disa momente, ishte i panjohur. Duke parë pas, u shkëputa nga vetja”, ka shkruar ai.
West ka pranuar se, në atë gjendje mendore, u afrua me simbole shkatërruese.
“Në atë gjendje të thyer, u orientova drejt simbolit më shkatërrues që mund të gjeja, svastikës, dhe madje shita bluza me të. Një nga aspektet më të vështira të çrregullimit bipolar të tipit 1 janë momentet e shkëputura, shumë prej të cilave ende nuk i mbaj mend”, ka shtuar ai.
Reperi ka theksuar se pendohet thellësisht për veprimet e tij dhe se është i përkushtuar ndaj trajtimit dhe ndryshimit.
“Pendohem dhe jam thellësisht i turpëruar nga veprimet e mia në atë gjendje. Jam i përkushtuar ndaj përgjegjësisë, trajtimit dhe ndryshimit të vërtetë. Kjo nuk e justifikon atë që bëra. Nuk jam nazist dhe nuk jam antisemitist. I dua njerëzit hebrenj”, ka shkruar West.
Ai ka zbuluar gjithashtu se në fillim të vitit 2025 ka përjetuar një episod maniak katërmujor që, sipas tij, “ia shkatërroi jetën”.
“Në fillim të vitit 2025 rashë në një episod maniak katërmujor me sjellje psikotike, paranojake dhe impulsive që më shkatërroi jetën. Kishte momente kur nuk doja më të isha këtu”, ka pranuar ai.
West ka kërkuar falje edhe ndaj komunitetit afro-amerikan.
“Komunitetit me ngjyrë, që më ka mbështetur në çdo ngritje e rënie dhe në momentet më të errëta, më vjen keq që ju zhgënjeva. Ju jeni themeli i asaj që jam. Ju dua”, ka shkruar ai.
Ai ka shpjeguar se jeta me çrregullim bipolar është një gjendje e vazhdueshme sëmundjeje mendore.
“Kur je në një episod maniak, je i sëmurë. Kur nuk je në episod, je plotësisht ‘normal’. Dhe pikërisht atëherë godet më fort rrënoja që ka lënë sëmundja”, ka shkruar ai, duke shtuar se bashkëshortja e tij, Bianca Censori, e ka nxitur të kërkojë ndihmë profesionale.
West ka theksuar ndikimin global që kanë fjalët e tij.
“Fjalët e mia, si lider në komunitetin tim, kanë ndikim global. Në maninë time, e humba plotësisht këtë vetëdije”, ka pranuar ai.
Ai ka thënë se tash po e gjen ekuilibrin përmes medikamenteve, terapisë, aktivitetit fizik dhe një jete më të shëndetshme.
“Po e kanalizoj energjinë time në art pozitiv dhe kuptimplotë: muzikë, veshje, dizajn dhe ide të reja për ta ndihmuar botën. Nuk po kërkoj simpati apo falje pa kushte, por shpresoj ta fitoj faljen tuaj”, ka shkruar ai.
Në fund, West ka zbuluar se ka gjetur mbështetje edhe në forume online, si Reddit.
“Kam gjetur ngushëllim në forumet e Reddit. Lexova histori të njerëzve që kalojnë episode të ngjashme maniake ose depresive dhe kuptova se nuk jam i vetëm”, ka shkruar ai.
Në letrën e nënshkruar “me dashuri”, West ka lidhur problemet e tij mendore edhe me një aksident automobilistik në vitin 2001.
“25 vjet më parë pata një aksident ku theva nofullën dhe dëmtova lobin frontal të djathtë të trurit. Dëmtimi i brendshëm nuk u vërejt dhe nuk u diagnostikua siç duhet deri në vitin 2023. Kjo neglizhencë mjekësore i shkaktoi dëme serioze shëndetit tim mendor dhe çoi në diagnozën e çrregullimit bipolar të tipit 1”, ka përfunduar ai.