Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Justin Timberlake shet katalogun muzikor për 100 milionë dollarë

Timberlake

Ylli i njohur i muzikës pop, Justin Timberlake, ka vendosur ta shes katalogun e tij muzikor për një çmim goxha të lartë, raportoi të hënën portali “HuffPost”.

Kompania me bazë në Londër, “Hipgnosis Song Management”, ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje për blerjen e katalogut muzikor të yllit Timberlake, për një çmim prej 100 milionë dollarësh. Në katalog përfshihen rreth 200 këngë të këngëtarit të realizuara gjatë karrierës së tij 20-vjeçare.

Blerja përfshin të gjitha të drejtat autoriale në këngët që Timberlake i ka shkruar ose bashkë-shkruar. Marrëveshja përfshin gjithashtu çdo muzikë të realizuar nga këngëtari në bashkëpunim me projekte filmike, televizive, si dhe performanca tjera të realizuara ndër vite.

Tani, kompania menaxhuese nga Londra i posedon të drejtat autoriale të hiteve të yllit të muzikës pop, si “Cry Me a River”, “SexyBack” dhe “Mirrors.”

“Jam i lumtur që do të bashkëpunojë me themeluesin dhe shefin ekzekutiv të kompanisë ‘Hipgnosis’, Merck Mercuriadis. Ai i vlerëson lartë artistët dhe punën e tyre kreative, dhe gjithmonë ka qenë përkrahës i fuqishëm i tekstshkruesve. Mezi pres të futem në këtë kapitull të ri të karrierës sime,” deklaroi Timberlake përmes një komunikatë për media.

Justin tani i bashkohet listës së artistëve të tillë si, Bob Dylan, Shakira dhe Neil Young, të cilët së fundmi i kanë shitur të drejtat autoriale të muzikës së tyre.