Kulturë

“Sony” synon ta blejë krijimtarinë e “Queenit” për 1 miliard dollarë

sony

Katalogu muzikor i grupit “Queen” është shumë i kërkuar, thjesht për shkak të jetëgjatësisë së muzikës së rock-grupit legjendar. Grupi është më i popullarizuar se secili prej këtyre artistëve, me 52 milionë dëgjues mujorë në “Spotify”

Nëse grupi “Queen” arrin ta shesë katalogun muzikor me çmim prej 1 miliard dollarësh, kjo do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji, duke tejkaluar 500 milionë dollarët që “Sony” pagoi për të blerë katalogun e Bruce Springsteenit në fund të vitit 2021

Kompania “Sony Music” besohet se është në negociata për ta blerë katalogun muzikor të rock-bendit legjendar, “Queen”, përfshirë hitet e tilla si “Bohemian Rhapsody”, “Radio Ga Ga” dhe “Another One Bites The Dust”. Është bërë e ditur se “Sony” po punon me një investitor tjetër për transaksionin, i cili mund të arrijë shumën e një miliard dollarëve.

Negociatat janë ende në proces e sipër dhe mund të mos rezultojnë të suksesshme. Por nëse arrihet marrëveshja, ajo do t’i përfshijë këngët e “Queen” dhe të gjitha veprat artistike që lidhen me grupin –  duke llogaritur të drejtat autoriale për logot, videot muzikore, mallrat, botimet dhe mundësi të tjera biznesi.

Diskutimet për shitjen e katalogut kanë nisur prej vitit të kaluar.

Gjithashtu thuhet se e përfshirë në negociata është dhe “Universal Music”, për shkak të marrëdhënies së gjatë të kompanisë muzikore me grupin, i cili në vitin 1972 nënshkroi kontratë bashkëpunimi me labelin britanik “EMI” dhe vazhdoi punën me të, edhe pasi  “labeli” u ble nga “Universal” në vitin 2011.

Nëse grupi arrin ta shesë katalogun me çmimin prej një miliard dollarësh, kjo do të jetë marrëveshja më e madhe e këtij lloji, duke tejkaluar 500 milionë dollarët që “Sony” pagoi për të blerë katalogun e Bruce Springsteenit në fund të vitit 2021. Në fillim të këtij viti, “Sony” i fitoi 50 për qind të aksioneve në muzikën e incizuar dhe të publikuar të Michael Jacksonit, kjo pasi u dakordua të paguajë 600 milionë dollarë, duke e bërë vlerën totale të katalogut të pop-yllit të ndjerë më shumë se 1.2 miliardë dollarë.

Grupi “Queen” është më i popullarizuar se secili prej këtyre artistëve, me 52 milionë dëgjues mujorë në Spotify – krahasuar me 41 milionë për Jacksonin dhe 20 milionë për Springsteenin. Kjo ndodhë pjesërisht falë suksesit të filmit biografik “Bohemian Rhapsody” dhe turneve të vazhdueshme të grupit me këngëtarin, Adam Lambert, por kryesisht sepse këngët si, “Crazy Little Thing Called Love” dhe “We Will Rock You”, vazhdojnë të jenë të njohura globalisht dhe jashtëzakonisht fitimprurëse.

Në Britani të Madhe, vëllimi i parë i “Queen’s Greatest Hits” është albumi më popullor i të gjitha kohërave, me shitjen e mbi 7 milionë kopjeve. Madje ishte albumi i 20-të më i shitur i vitit 2023, duke mposhtur incizimet e reja të artistëve të tillë si Ed Sheeran dhe bendi “The Rolling Stones”.

Sipas pasqyrave të fundit financiare, kompania “Queen Productions Ltd” i fitoi 52 milionë dollarë në vitin 2022. Të ardhurat ndahen në mënyrë të barabartë midis kitaristit Brian May, bateristit Roger Taylor, basistit John Deacon dhe menaxhuesve të pasurisë së këngëtarit të ndjerë, Fredi Mercury.

Shitja e katalogëve muzikorë është bërë një biznes i madh gjatë tetë vjetëve të fundit, me ç’rast kompani të ndryshme diskografike kanë blerë të drejtat e muzikës së yjeve të shquara botërorë si, David Bowie, Bob Dylan, Justin Bieber, Shakira, Neil Young, Blondie dhe rock-bendi “Fleetwood Mac”.

Marrëveshjet ofrojnë siguri të menjëhershme financiare për artistët dhe trashëguesit e pasurisë së tyre, ndërsa blerësit e të drejtave autoriale të muzikës së artistëve shpresojnë të përfitojnë duke krijuar burime të reja të të ardhurave nëpërmjet licencimit të filmave dhe projekteve televizive, shitjes së mallrave, të drejtave të versioneve “cover” të këngëve dhe honorarëve nga të gjitha performancat e kaluara.

Të drejtat muzikore vlerësohen një investim i mirë, sepse këngët vazhdojnë të gjenerojnë para për dekada me radhë. Megjithatë, ky lloj i biznesit ka pësuar disa trazira pasi rritja e normave të interesit e ul dukshëm vlerësimin afatgjatë të këngëve hit.

Pavarësisht kësaj, katalogu muzikor i grupit “Queen” është shumë i kërkuar, thjesht për shkak të jetëgjatësisë së muzikës së rock-grupit legjendar. Mendohet se marrëveshjen e mundshme të grupit është duke e komplikuar fakti që “Disney Music Group” zotëron katalogun e muzikës së incizuar të tyre në Amerikën e Veriut.

Grupi zotëron të drejtat për pjesën tjetër të botës, dhe gjithashtu ruan të drejtat globale të publikimit –  të drejtat e autorit për muzikën dhe tekstet e këngëve.