Ikona e muzikës country u bë i famshëm në vitet '70 me hitet si “Ridin’ My Thumb to Mexico” dhe “I Just Can’t Get Her Out of My Mind”.
Johnny Rodriguez, këngëtari që u bë artisti i parë me origjinë meksikano-amerikane që arriti sukses të madh në muzikën country, ka vdekur të premten në moshën 73-vjeçare.
Vajza e tij, Aubry Rodriguez, bëri të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale të shtunën, pa treguar shkaqet e vdekjes, ka raportuar The New York Times.
Rodriguez u bë i njohur në vitet '70 dhe më së shumti njihet për hitet si “Ridin’ My Thumb to Mexico” dhe “You Always Come Back (to Hurting Me)”. Ai pati gjashtë këngë që zunë vendin e parë në toplistën Billboard Hot Country Songs dhe nëntë të tjera që hynë në dhjetëshen më të mirë.
Në vitin 2007, ai u përfshi në “Texas Country Music Hall of Fame”, përfaqësuesit e të cilës e quajtën “këngëtari më i madh dhe më i paharrueshëm chicano i muzikës country i të gjitha kohërave”.
Johnny, emri i vërtetë i të cilit ishte Juan Raoul Davis Rodriguez, lindi më 10 dhjetor 1951 në Sabinal, Teksas, rreth 100 kilometra në perëndim të San Antonios. Ishte fëmija i parafundit në një familje me 10 fëmijë. Filloi të luante kitarë që në moshën 7-vjeçare, kur vëllai i tij më i madh, Andres, ia dhuroi një të tillë.
Kur ishte vetëm 16 vjeç, i ati vdiq nga kanceri dhe një vit më pas humbi edhe vëllain Andres në një aksident me makinë, ngjarje që, sipas “Hall of Fame” të muzikës country në Teksas, e tronditën thellë dhe e “çuan drejt një rënieje emocionale”.
Në moshën 18-vjeçare, Rodriguez përfundoi në burg për një gjobë të papaguar. Ndërsa po vunate dënimin, kalonte kohën duke kënduar dhe u dëgjua nga një oficer shtetëror i quajtur Joaquin Jackson. Ai e ndihmoi të gjejë punë si këngëtar në “Alamo Village”, një atraksion turistik i njohur në Teksas.
Në vitin 1971, muzikantët country Tom T. Hall dhe Bobby Bare e dëgjuan Rodriguez teksa performonte në Alamo dhe e ftuan në Nashville. Ai shkoi atje vetëm me një kitarë dhe 14 dollarë në xhep. Brenda një kohe të shkurtër, u bë kitaristi kryesor në bendin e Hallit.
Në vitin 1973, ai publikoi këngën e tij të parë “Pass Me By (If You’re Only Passing Through)”, që hyri direkt në Top 10. Pas saj erdhën tri superhite që arritën vendin e parë: “You Always Come Back (to Hurting Me)”, “Ridin’ My Thumb to Mexico” dhe “That’s the Way Love Goes”.
Po atë vit, Rodriguez u nominua për çmimin e këngëtarit të vitit nga Country Music Association dhe fitoi “Billboard Trend Setter Award” si meksikano-amerikani i parë që fitoi një publik të gjerë kombëtar.
Në vitin 1979, u nda nga shtëpia diskografike “Mercury” dhe nënshkroi me “Epic”, ku publikoi edhe tri hite të tjera që hynë në Top 10: “Down on the Rio Grande”, “Foolin’” dhe “How Could I Love Her So Much”. Ai vazhdoi të bënte muzikë deri në vitet '90.
Në vitin 1999, ai u shpall i pafajshëm nga juria në gjyq, për vrasjen e një burri që quhej Israel Borrego, për të cilin ai tha se po përpiqej të hynte në shtëpinë e tij për grabitje.
“Jam thjesht i mërzitur që ndodhi një gjë e tillë. Nuk dua kurrë të përjetoj diçka të tillë përsëri”, tha ai pas vendimit.
Në vitin 2010, ai mori çmimin “Pioneer Award” nga Instituti i Kulturës Hispanike, dhe në vitin 2019 iu dha çmimi “Living Legend” nga Shoqata e Muzikës Country të Teksasit.
Gjatë karrierës së tij katërdekadëshe, Rodriguez publikoi 35 albume.
Ai lë pas dy motrat e tij, Antonia dhe Eloisa, si dhe vajzën, Aubry Rodriguez. Martesa e tij me Debbie McNeely përfundoi në divorc.
Në një intervistë të vitit 2019, Rodriguez i këshilloi artistët e rinj që t'i shkruajnë këngët e tyre.
“Të shkruash vetë të dallon nga të tjerët. Nëse je me të vërtetë i sinqertë në atë që bën, kjo është pjesa më e vështirë, është sikur të zhvishesh para dikujt”, pati thënë Rodriguez.